Zgjedhjet e parakohshme më 6 tetor, shpallen menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit

Prishtinë | 22 Gus 2019 | 08:01 | Nga Ekonomia Online

Kosovarët pritet t’iu drejtohen kutive të votimit të dielën e parë të tetorit, në rast se deputetët votojnë të enjten pro shpërndarjes së Kuvendit.

Datën më të mundshme të zgjedhjeve të parakohshme presidenti Hashim Thaçi ia ka përmendur të mërkurën kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, në një takim që e ka pasur me të.

Një burim i Kohës Ditore ka thënë se, mbështetur në atë çfarë kreu i shtetit ka folur me Dakën, zgjedhjet do të shpallen menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit.

“Presidenti ka thënë se nëse shpërndahet Kuvendi nesër, ai menjëherë të premten ose më së largu të hënën do ta dekretojë datën e zgjedhjeve të parakohshme. Ai është përcaktuar që zgjedhjet të mbahen më 6 tetor”, ka thënë ky burim.

“Dinamika e parashikuar mund të ndryshojë vetëm në rast se Kuvendi nuk shpërndahet sipas planifikimit”.

Datën 6 tetor për mbajtjen e zgjedhjeve e ka përmendur edhe kreu i Kuvendit dhe i PDK-së, Kadri Veseli, në një deklarim për medie, para dosa ditësh.

Të ngjashme