Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka bërë të ditur se rezultatet e para të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, të cilat merren në mënyrë elektronike nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, shpallen në mënyrë të njëpasnjëshme pas përfundimit të votimit, ndërkohë, rezultatet në bazë të të dhënave nga procesverbalet e dorëzuara nga komisionet komunale, KSHZ-ja është e obliguar që t’i shpallë brenda 12 orësh pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, sipas ligjit, duhet të shpallin rezultatet fillestare jo më vonë se shtatë orë pas mbylljes së qendrave të votimit, duke u mbështetur në të dhënat e dërguara nga këshillat zgjedhorë.
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, KSHZ-ja i publikon menjëherë sapo të përfundojë grumbullimi dhe verifikimi i të gjitha të dhënave, por jo më vonë se 24 orë nga dita e mbylljes së zgjedhjeve. Publikimi bëhet për secilën komunë veçmas.
Zgjedhjet për kryetarët e komunave zhvillohen sipas sistemit mazhoritar, ndërsa ato për anëtarët e këshillave komunalë mbahen sipas modelit proporcional dhe në një rreth të vetëm zgjedhor.