Elezi tregon kur numërohen votat me kusht e kur shpallen rezultatet përfundimtare të raundit të dytë

Prishtinë | 17 Nën 2021 | 12:00 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rezultatet përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 21 komunave të cilat u mbajtën më 14 nëntor, pritet të shpallen së shpejti.

Kjo do të bëhet e mundur pasi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) i kanë mbetur edhe jo shumë punë për të përmbyllur deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar për Ekonomia Online se ky institucion është duke u angazhuar në përmbylljen e të gjithë procesit të zgjedhjeve lokale 2021.

Ai ka treguar se pjesa më e madhe e rezultateve tashmë janë certifikuar nga ky institucion.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u angazhuar që të përmbyllë procesin e zgjedhjeve lokale, i cili ka filluar në mes të muajit qershor, kur ishte shpallur data e zgjedhjeve lokale. Deri më tani, KQZ ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për 38 Kuvendet Komunale dhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Kryetarë të 17 Komunave, që janë mbajtur më 17 tetor. Në proces është shpallja dhe certifikimi i rezultatit përfundimtar të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 21 Komunave që u mbajtën më 14 nëntor”, tha Elezi.

I pyetur se kur do të bëhet numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, ai shpjegoi se janë duke punuar për të pasur një listë të saktë të votave me kusht për çdo komunë dhe se numërimi i tyre pritet të fillojë brenda një apo dy ditësh, por për këtë do të ketë një njoftim me kohë.

“Sa i përket shpalljes së rezultateve përfundimtare të raundit të dytë, deri më tani KQZ ka numëruar votat nga jashtë Kosovës dhe brenda një apo dy ditësh do të fillojmë me numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta”.

“Po ashtu, para shpalljes marrim edhe konfirmimet nga PZAP dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje për të shqyrtuar/vendosur. Kur të përmbyllen këto procese të parapara me ligj, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të shpall rezultatet përfundimtare”, tha Elezi, raporton EO.

Lexo më shumë:

Të ngjashme