Emërimi i mundshëm i diplomatit sllovak, Miroslav Lajçak, si emisar special në negociatat Kosovë-Serbi, nuk paraqet problem për partitë politike, edhe pse ai vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën.
Derisa Qeveria nuk është deklaruar përkitazi me rolin që mund ta ketëLajçak, opozita e sheh problematike mundësinë që sllovakut t’i jepet një portofol më i gjerë sesa negociatat ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
Anëtari i Komisionit parlamentar për punë të jashtme nga Partia Demokratike, Enver Hoxhaj,ka thënë për gazetën se për Kosovën dhe vende të caktuara të Bashkimit Evropian shqetësim duhet të jetë titulli e jo emri i Lajçakut, shkruan sot Koha Ditore.
“Nëse ai emërohet si i ngarkuar i posaçëm për Kosovë dhe për Bosnjë, kjo është realisht jo vetëm një lexim evropian se si shihet Ballkani, por më shumë një lexim serb, sepse për serbët dhe Serbinë ka dy tema të rëndësishme të politikës së jashtme- njëra është Kosova dhe tjetra është Bosnja”, ka theksuar Hoxhaj. “Prandaj më shumë preferoj që titullin ta ketë emisar për Ballkan sesa emisar për Bosnjë dhe Kosovë, sepse gabimisht do ta krijonte një ndërlidhje e cila mund të keqpërdoret dhe keqfunksionalizohet në Serbi, në raport me interesat e tyre serbomëdha”, ka shtuar ish-zëvendëskryeministri Hoxhaj. Ai ka folur për bashkëpunim të mirë me Lajçakungjatë qeverisjes së kaluar, teksa si sukses e ka përmendur faktin se Sllovakia e ka njohur pasaportën e Kosovës.
Ndërkaqkryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka theksuar se nuk paraqet problem fakti se shteti i Lajçakut nuk e ka njohur Kosovën.