Fjalimi i djeshëm i Aleksandër Vuçiqit ishte me tone të “žalopojka-s” (vajtimit), të kërcënimit, të idesë së restaurimit.
Pallavra në stilin se “Kosova është fjala më e shtrenjtë” është e njëjtë me të nazistëve dhe klerofashistëve serbë. Është mendim absurd. Është si të thuash për një ushqim se të pëlqen më së shumti, ndërsa vjell mbi të.
Kërkesat e tij dëshmuan dy gjera: e para, gabimin katastrofal të Vuçiqit kur u ka kërkuar serbëve të largohen nga institucionet.
E dyta, pritshmërinë joreale që ka për të ardhmen. Ky teveqel nuk po arrinë të kuptojë se Kosova është shtet, edhe pse vetë e konfirmoi se e kanë njohur 112 shtete, si shtet të pavarur.
Nga ana tjetër, statusi special social për Kosovën dhe formimi i prokurorisë për Kosovën janë tentativa idiotike, sepse nuk mund të zbatojë një shtet aso politikash në një shtet tjetër.
Të gjitha këto “zhallopojka”, kërcënime e tentime për ta restauruar ish sistemin e okupimit, bartin me vete një rrezik: rritjen e presionit të BE-së dhe SHBA-së për formimin e autonomisë së veriut, nën masken e Asociacionit, gjoja për ta frenuar pretendimin restaurues të Serbisë. Por, ka hapësira të amortizimit të presioneve. Psh., Vuçiqi u thirr në Marrëveshjen e Brukselit (e vetmja që është e nënshkruar.)
Qeveria jonë do të duhej poashtu të tentonte të kthehej te ajo marrëveshje e të shmanget Plani Franko-Gjerman dhe Aneksi i Ohrit, të cilët janë shumë më të këqij se sa Marrëveshja e Brukselit. Marrëveshja e Brukselit i pati futur serbët në institucione me sukses relativisht të mirë. Ajo do të mund të adoptohej edhe për rikthimin e tyre në institucione.
Dhe ka rëndësi që kjo të ndodhë pa u formuar Asociacioni dhe para se të mbahen zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.