Zhvillimet në veri, dialogu dhe plani franko-gjerman, dalin detaje nga takimi Kurti-Borell në Paris

Prishtinë | 11 Nën 2022 | 12:04 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti është duke qëndruar në Paris pas ftesës nga presidenti i Francës për të marrë pjesë në Forumin e Paqes. Kurti sot ka takuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borell, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë, përfshirë targat dhe tensionimin e situatës në veri pas daljes së serbëve nga institucionet.

Në këtë takim kanë marrë pjesë numri dy i MPJ-së, Kreshnik Ahmeti, këshilltari i kryeministrit Jeton Zulfaj dhe Fisnik Korenica.

Kurti siç njofton ZKM, ka theksuar elementet e kornizës për marrëveshje për normalizim të raporteve me Serbinë në të cilin përfshihet njohja reciproke ndërkohë ka thënë se propozimi frnako-gjerman është bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.

 “Kryeministri Kurti theksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, ndërsa tha se propozimi franko-gjerman, që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, thekson komunikata.

Sa i përket zhvillimeve në veri, Kurti i ka thënë Borellit se Kosova është e vendosur për sundim të ligjit dhe e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

“Duke biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit, Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend”, përfundon komunikata.

Të ngjashme