Zidane takohet me katër lojtarë, tre prej tyre u tregon se do t’i shesë verës

Prishtinë | 07 Maj 2019 | 09:13 | Nga Ekonomia Online

Zinedine Zidane tani ka biseduar me katër lojtarë – Gareth Bale, Marcos Llorente, Dani Ceballos dhe Marcelon – për të ardhmet e tyre në Real Madrid. Atyre, përveç Marcelos, u ka thënë se dëshiron t’i shesë gjatë afatit kalimtar të verës.

Afati kalimtar i kësaj vere do të jetë shumë i zënë për Real Madridin, pasi që klubi ka qenë i lidhur me disa prej futbollistëve më të famshëm, si Paul Pogba i Manchester Unitedit, Eden Hazardi i Chelseat e Christian Erikseni i Tottenhamit.

Për t’i transferuar këta lojtarë, Zinedine Zidane do të duhet t’u bëjë atyre vend në skuadër. Këtë gjë duhet ta bëjë përmes shitjes së disa lojtarëve të tjerë në skuadër, të cilët nuk i konsideron më të rëndësishëm për projektin e tij.

E përditshmja spanjolle, Marca, raporton se Zidane tashmë u ka thënë tre lojtarëve se nuk i dëshiron në skuadër për sezonin e ardhshëm. Trajneri francez ka mbajtur takime me Gareth Bale, Marcos Llorente, Dani Ceballos dhe Marcelon.

Marca pretendon se Zidane u ka thënë Bale-it, Llorentes dhe Ceballosit se dëshiron t’i shesë gjatë afatit kalimtar të verës, ndërsa Marcelos i ka thënë se dëshiron ta mbajë në skuadër edhe më tutje.

Bale ka qenë ndër lojtarët më të përmendur në spekulimet për transferime të mundshme, pasi që raportohet se shumë klube janë duke e mbikëqyrur situatën e tij në Madrid. Besohet se të interesuar për uellsianin janë Manchester Unitedi dhe Bayern Munichu.

Llorente, i cili u bë pjesë e ekipit të parë duke u promovuar nga akademia e Real Madridit, gjithashtu pritet të largohet nga Santiago Bernabeu këtë verë. Ai i ka luajtur vetëm gjashtë ndeshje këtë sezon.

Edhe Ceballos pritet të largohet nga Real Madridi në fund të këtij sezoni. Mesfushori spanjoll nuk ka arritur ta zë një vend në formacionin e parë të “Los Blancos” që nga transferimi i tij nga Real Betisi.

Edhe pse më parë ishte i lidhur fuqishëm me një transferim në Juventus në fund të këtij sezoni, Marcelo mbetet opsioni i parë për pozitën e mbrojtësit të krahut të majtë për Zidanin dhe ai shpreson se do të arrijë ta nxjerrë më të mirën nga braziliani sezonin e ardhshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme