Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi dhe ish-deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Ilir Deda, kanë mbajtur një bashkëbisedim me studentët dhe stafin e UBT-së, me ç’rast kanë diskutuar për të ardhmen e Kosovës dhe sfidat me të cilat po përballen qytetarët e saj.
Ata, me theks të veçantë kanë përmendur të rinjtë, ku vlerësuan se rinia e Kosovës duhet të ketë rol kryesor si në vendimmarrje, ashtu edhe në strategji politike.
Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi ka thënë se të rinjtë e Kosovës nuk duhet t’i shohin partitë politike si mundësi më të lehtë për punësim dhe avancim në karrierë, por sipas saj, ata duhet të luajnë një rol tejet të rëndësishëm në mbarëvajtjen e proceseve të ndryshme politike.
Ndërkohë, ish-deputeti Deda tha se me potencialin që e kanë të rinjtë kosovarë, ata mund të sjellin në politikë një frymë të re në mënyrën se si duhet të zhvillohen proceset politike dhe se ata mund të jenë iniciatorë të shumë proceseve, që janë të domosdoshme për zhvillimin e vendit.
Gjatë bashkëbisedimit, profesorët dhe stafi i UBT-së patën mundësi të bëjnë pyetje për sfidat me të cilat po përballen qytetarët, përfshirë fushën e arsimit si dhe atë të shëndetësisë.