Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së viti akademik në Kolegjin UBT.
Zogaj-Gashi, e cila është ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike, tha se UBT-ja ka treguar sukses, lidership dhe vullnet për punë, për 15 vjet radhazi dhe se këtë traditë do ta vazhdojë edhe më tutje, falë stafit profesional dhe studentëve të përkushtuar.
“UBT-ja është faktor i rëndësishëm i arsimimit dhe edukimit të brezave të rinj, dhe mbi të gjitha, i orientimit të tyre drejt suksesit”, tha Zogaj-Gashi, teksa shtoi se stafi është i përkushtuar në krijimin e karrierës së suksesshme të studentëve.
“Që nga themelimi që 15 vite e deri më tani vazhdimisht Kolegji UBT si institucion i parë i arsimimit privat ka treguar përkushtim, përpjekje për të qenë gjithmonë në hapë me zhvillimet botërore të mësimdhënies, hapësirave, literaturës, teknologjisë, arkitekturës, duke ofruar programe dhe kurrikula të pranuar ndërkombëtarisht sipas standardeve më të larta të cilësisë, sipas kërkesave të ekonomisë së tregut, akademikë dhe ekspertë eminentë; partneritet me mbi 200 universitete ndërkombëtare, me infrastrukturë moderne, projekte hulumtuese akademike dhe ndërkombëtare”, tha ajo.
Ndërsa, rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, duke vlerësuar cilësinë dhe punën theksoi se UBT-ja është ndër institucionet më të mira të arsimit të lartë në Kosovë.
“Ndërlidhet me sukseset e arritura të studentëve dhe stafit, projekteve të realizuara dhe rezultateve të arritura në tregun e punës”, ka vijuar ai për të shtuar se UBT është i përkushtuar që, për tregun e punës të krijojë liderë, diplomatë, juristë e gazetarë profesionistë, të cilët sipas tij, do të jenë “krenaria, potenciali dhe e ardhmja e UBT-së dhe Kosovës”.