Arsim Janova, kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), mohon se janë duke mbrojtur KEDS-in. Ai ka deklaruar se do të mundohen t’i mbajnë tarifat aktuale të energjisë për të qenë në interes të qytetarëve.
Janova në Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ku është diskutuar lidhur me “Raportet Konsultative për përcaktimin e të Hyrave të Lejuara Maksimale” si dhe “Raportin Konsultativ për përcaktimin e Faktorit të efikasitetit”, shtoi se pagat e punëtoreve nuk janë zbritur, raporton Ekonomia Online.
“Pagat nuk janë zbritur. Ne po mundohemi me mbajt një mes se ku është interes i qytetarëve te tarifat. Do të mundohemi t’i mbajmë këto tarifa. U kemi thënë edhe punëtorëve që të mos shqetësohen”.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar të di dallimet e tarifave nga sesioni i kaluar dhe nivelin e humbjeve.
“Mua me intereson si ndryshojnë tarifat nga sesioni i kaluar, sa janë humbjet. Kjo 1.9 si justifikohet prej juve. Sa janë të hyrat e lejuara dhe cilat janë diferencat me sesionet e kaluara”.
Ymer Fejzullahu nga ZRrE-ja tha se ndërmarrjet kanë mundësi t’i reduktojnë shpenzimet operative, por jo domosdoshmërisht shpenzimet operative që lidhen me punëtorët.
“Në këtë periudhë i kemi rritur investimet që janë rreth 300 milionë euro e që janë të parapara për dy vitet e ardhshme”. Fejzullahu deklaroi se humbjet aktuale të KEDS-it janë 24 për qind, ndërsa targeti i ZRrE-së është 18.8 për qind.
“Nëse nuk janë arritur qëllimet e kontratës konsumatorët nuk kanë paguar atë diferencë”. Fejzullahu theksoi se mesatarja e shpenzimeve të personelit është me e madhe se në Shqipëri dhe Serbi.
Deputetja Hykmete Bajrami tha se ZRrE-ja nuk po dëshmon se po bën punë të mirë.
“A ka faktorë të efikasitetit për KOSTT-in dhe në çfarë mënyre marrim ne garancione që punëtorët e KEDS-it nuk dëmtohen. Ngritja e nivelit te humbjeve ne 9 për qind është krejt e papranueshme. Do të thotë që pas katër viteve këta nuk mund të arrijnë 18.8-shin. Nuk jeni duke na mbush mendjen qe jeni duke bërë punë të mirë”.
Deputetja Bajrami iu drejtua drejtorit të ZRrE-së, Petrit Pepaj, duke i thënë se pozita e tij është e shpikur dhe se nuk pritet prej tij që si ish-punëtor i KEDS-it të mbrojë interesat e qytetarëve.
“Pozita jote është e shpikur në ZRrE, ke punuar në KEDS para një kohe”.
Deputeti i LVV-së, Liburn Aliu, tha se brenga e punëtorëve që ata do të largohen nga punës bazohet në të kaluarën.
“Papunësia e madhe i bie që punëtorët të pranojnë punë edhe me pageë të vogël. Kishim dashtë me pa efikasitet që bie mbi kurriz të të tjerëve. Jam shumë i brengosu, por besoj që do të gjejmë zgjidhje”.
Dardan Sejdiu i ka bërë thirrje ZRrE-së që të gjejë një formulë e cila do të trajtonte brengat e punëtorëve dhe të deputetëve.
Deputetja Mimoza Kusari-Lila, tha se KEDS-i është monopol natyror, raporton EO.
“Ju në periudhën e tarifave keni takime me KEDS-in. Kur filluat të trajtoni normat e tjera lejoni një fleksibilitet që ia lejoni që KEDS-i me i pas ato shkurtime në teknologji. Mos të shtyhemi me numra se nuk jemi në gjykatë”.
Rashit Gashi, sekretar i Federatës së Sindikatave të Pavarura Elektro-Kosova (FSPE) ka kërkuar që punëtorët të kenë stabilitet.
“80 për qind e shpenzimeve janë për pagat e punëtoreve. Investimet rriten por në anën tjetër ka tendence të zvogëlimit të shpenzimeve operative. 5 për qindëshi i periudhës së kaluar ka pasur ndikim direkt në punëtorët. Punëtorët përballen me gjykata, kemi mungesë të stafit”.
Fehmi Pajaziti, kryetar i Këshillit Grevist te Punëtorëve te KEDS-it dhe nënkryetar i FSPE-së, tha se shqetësim i tyre janë punëtorët të cilët janë larguar nga puna dhe enden nëpër gjykata.
“Më 2013, 2723 punëtore kemi kaluar nga kompania publike në private, sot jemi 2159 punëtorë. Diku 400 punëtorë sorollaten gjykatave pa fajin tonë e as tuajin. Këtu është brenga dhe shqetësimi ynë te punëtorët. Te saktësohet sepse kemi vuajtur punëtorët në 5 për qindëshin. Kërkoj të diskutojmë që të gjendet një gjuhë e përbashkët sepse ka hapësirë që këto të reflektohen”.