Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka nxjerrë në diskutim publik strukturën e re tarifore për energjinë elektrike, ku një prej ndryshimeve esenciale të propozuara është largimi tarifës sezonale dhe i blloqeve tarifore.
Struktura e re tarifore është propozuar si pjesë e vendimit të Bordit të ZRrE-së për rishqyrtim të strukturës aktuale tarifore, “duke pasur si synim që tarifat të jenë sa më të thjeshta për t’i kuptuar të gjithë konsumatorët dhe me qëllim të përshtatjes së sektorit me rrethanat e reja të krijuara nga kërkesat ligjore për liberalizim të tregut”, thuhet në njoftim.
Propozimi i ri thuhet të jetë thjeshtësim i strukturës tarifore, ndërsa “u mundëson konsumatorëve krahasim më të lehtë të çmimeve të ofruara nga furnizuesit e ndryshëm që pritet të hyjnë në treg”.
Përmes njoftimit për media, ZRrE-ja u ka bërë thirrje palëve të interesuara që të japin komentet e veta rreth propozimeve për strukturën e re tarfifore, deri më datën 30 mars 2017.
Sipas njoftimit, propozimi i ri “paraqet ndryshime të rëndësishme për konsumatorët fundorë, e në veçanti për ata familjarë, të cilët edhe ashtu kanë një strukturë më komplekse se kategoritë e tjera të konsumatorëve fundorë”.