Zv.kryeministri Gashi takon zyrtarë të Bankës Botërore në Washington – diskutojnë fondet për diasporën

Prishtinë | 12 Shk 2018 | 16:43 | Nga

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, në ditën e fundit të vizitës në ShBA ka takuar edhe drejtorin e programit për remitenca dhe migrim në Bankën Botërore, z. Dilip Ratha dhe znj. Sonia Plaza, ekonomiste e lartë me të cilët u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në fushën e strukturimit në remitencave të diasporës dhe shndërrimit të tyre në një model të zhvillimit ekonomik dhe social, transmeton Ekonomia Online.

Sipas një komunikate nga Ministria e Diasporës, Gashi i informoi bashkëbiseduesit me projektet e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, posaçërisht ato që lidhen me investimet strategjike.

“Ne kemi një diasporë të madhe të shpërndarë në Evropë dhe ShBA dhe kontributi i kësaj diaspore në formën e remitencave është mbi një miliardë euro në vit. Ne i shikojmë ata si partnerë të rëndësishëm, investitorë serioz që mund ti kanalizojnë këto remitenca drejt projekteve të rëndësishme në Kosovë”, tha Gashi.

Zyrtarët e lartë të Bankës Botërore në anën tjetër e informuan Ministrin Gashi për disa programe në të cilat janë duke punuar, e në veçanti atë të krijimit të bondeve për diasporën, një model i cili është duke u aplikuar që nga viti 1951 në Izrael, ndërsa së fundmi ka filluar të aplikohet edhe në Nigeri.

“Ne mund të ju ndihmojmë duke ju ofruar ekspertizën tonë në krijimin e bondeve të tilla, regjistrimin e tyre, të kemi rol këshillëdhënës” theksoi z. Ratha.

Në fund, ministri Gashi dhe zyrtarët e Bankës Botërore, u dakorduan që në takimet vjetore që organizohen nga BB, të jetë e ftuar tashmë edhe Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike për të prezantuar projektet dhe përvojat e deritashme.

Ndryshe, Ministri Gashi, para përmbylljes së vizitës, ishte pjesë e ceremonisë së festimit të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës organizuar nga Ambasada e Kosovës në Washington D.C. dhe në pritjen e organizuar të Ambasadës së Shqipërisë në Washington për nder të kësaj dite.

Të ngjashme