Zvarritet shënjestrimi i rasteve të homologimit

Prishtinë | 22 Nën 2019 | 07:23 | Nga Ekonomia Online

Hetimi për pagesat e Qeverisë së Kosovës për kompaninë “Bechtel Enka” në vlerë të 53 milionë eurove, hetimi i krijimit të monopolit për homologimin e veturave, hetimi i dyshimeve për dhënien e në mënyrë korruptuese 3 milionë euro grante për njerëz të politikës nga Ministria e Bujqësisë, nuk po konsiderohen raste reprezentative të korrupsionit të profilit të lartë nga Prokuroria Speciale.

Ka rreth katër muaj që Policia e Kosovës i ka kërkuar Prokurorisë Speciale shënjestrimin e rasteve të tjera, ku janë përfshirë zyrtarë të lartë. Prej atëherë ky institucion nuk i ka shënjestruar ato, shkruan sot “Koha Ditore”.

Shënjestrimi i rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe krimit të organizuar nga institucionet kosovare bëhej si pjesë e përpjekjes për të prezantuar rezultate konkrete në fushën e mbizotërimit të ligjit. Rastet e shënjestruara duhej që të lidheshin me keqpërdorim të vlerave të mëdha të parave përmes zyrtarëve publikë e që pas përfundimit të rastit pasuria e fituar jashtëligjshëm duhej të konfiskohej. Shënjestrimi i rasteve nënkuptonte që ato raste të kishin mbikëqyrje më të madhe nga zyrtarët vendorë dhe ata ndërkombëtarë, ndërsa hetimi dhe gjykimi i tyre duhej të ishin parësorë.

Nga burime brenda hetuesisë gazeta ka mësuar se kërkesë e Policisë së Kosovës ka qenë shënjestrimi i hetimit edhe të disa rasteve ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë të qeverisë aktuale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme