Ka dy ditë që Qendra për Numërim të Rezultateve ka filluar me rinumërimin e disa kutive me votat e dala nga zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë.
Rreth 280 kutitë që KQZ i ka vendosë për rinumërim do të përfundohen para fundjavës. Kështu po zotohet Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj.
Kontaktuar nga Gazeta Express ai ka thënë se deri në orën 11 të së martës janë numëruar 55 kuti të plota, ndërkohë që për ditën e sotme në proces janë edhe 19 kuti të tjera për rinumërim. Ahmetaj ka shpjeguar se në këtë fazë do të rinumërohen rreth 74 kuti.
“…deri më tani janë rinumëruar 55 kuti të plota. Po i referohem orës 11, kanë qenë në proces edhe 19 kuti tjera për rinumërim që i bie 74 kuti do të rinumërohen në këtë fazë. Për rinumërim të plotë janë diku 164 vendvotime, ndërkohë që rinumërim të pjesshëm janë diku 120 vendvotime. Jemi në proces dhe besojmë që brenda pak ditës do të përfundohet dhe kjo fazë”, ka thënë ai.
Ahmetaj ka deklaruar se pas rinumërimit të këtyre kutive QNR në proces pastaj do të ketë rinumërimin e votave me kusht.
Për 2 deri në 3 ditë besojmë që e përfundojmë rinumërimin. Para festës së Bajramit do të kryhet kjo punë dhe pastaj do t’i numërojmë votat me kusht”, ka thënë Burim Ahmetaj për Gazetën Express.
E Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të hënën ka vendosur që të rinumërohen edhe 280 kuti tjera të votimit, për shkak të, siç thuhet, ”mospërputhjes së të dhënave të kandidatëve dhe subjekteve politike”.
Pas rinumërimit të gjithsej 425 kutive të votimit, pritet të fillojë edhe numërimi i votave me kusht, atyre me postë dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
Përmbyllja e numërimit dhe rinumërimit të votave do të përmbyllet më pas me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 11 qershor.
Kujtojmë se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, më 11 qershor, kanë garuar 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare, me mbi 900 kandidatë për 120 ulëset e Kuvendit të Kosovës.
Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.