Qendra për Hulumtime “Alternativa”, observator i matjeve të opinionit publik, ka realizuar një sondazh me qytetarë, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017.
Përgjigjet kanë rezultuar me dallim të madh në favor të koalicionit PDK-AAK-NISMA, duke shënuar 46.8% për të, kundrejt LDK-AKR–Alternativa me 27.1% dhe Lëvizjes Vetëvendosje! me 21.5%.
Sondazhi është realizuar me të anketuar të profileve dhe grupmoshave të ndryshme, të cilët janë përgjigjur sipas medotës përmes bisedës së shkurtër dhe plotësimit të pyetësorit me dy pyetjet e parashtruara. Forma e përgjegjjeve ka qenë dihotome, ku i pyeturi në sondazh ka pasur dy opcione që të përgjigjet.
Pjesëmarrja e grupmoshave të respodentëve është zhvilluar në (5) pesë kategori, duke filluar prej 18-25 vjeç, 26-35, 36-45, 46-55, 56-65 vjeç. Rezultatet kanë treguar për një rritje substanciale të koalicionit PDK- AAK -NISMA me rezultat zgjedhor prej 46.8%.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, koalicioni i PDK-së kishte arritur rezultat prej 30.38%, LDK e vetme kishte arritur 25% , ndërsa VV kishte 13.59 % dhe AAK kishte fituar 9.54 %.
1. Cilit subjekt garues politik në Kosovë do t’ia besonit votën, koalicionit PDK-AAK-NISMA, atij LDK- AKR-Alternativa apo Lëvizjes Vetëvendosje!?
Përgjegjjet kanë rezultuar kështu: për koalicionin PDK-AAK-NISMA, duke shënuar 46.8%, kundrejt LDK-AKR-Alternativa 27.1 % dhe Lëvizja Vetëvendosje 21.5%.
PDK–AAK-NISMA 46.8%; LDK-AKR 27.1%; VV-21.5%; Të tjera 6.0%
2. Cili nga kandidatët për kryeministër është më bindës dhe do të mund t’i ndryshonte gjërat pozitivisht, Ramush Haradinaj, Albin Kurti apo Avdullah Hoti?
Rezultatet në pyetjen drejtuar qytetarëve kanë rezultuar me 57% për Ramush Haradinajn, i nominuar nga koalicioni PDK-AAK-NISMA. 30% i kanë besuar Albin Kurtit nga Vetëvendosje, ndërsa, vetëm 13% besojnë që i nominuari i LDK-së, Avdullah Hoti do të mund t’i ndryshonte gjërat pozitivisht.
Rezultatet e sondazhit janë realizuar me pesëmijë (5000) respondentë të anketuar nëpër (8) tetë qendrat më të mëdha në Kosovë. Ky sondazh është realizuar nga data 21 maj 2017 deri më 29 maj 2017, në qytetet: Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë (rajoni i Drenicës), Podujevë, Gjakovë, Pejë dhe Prizren, qendra këto kryesore të Republikës së Kosovës.
Sondazhi është realizuar pas kohës kur partitë politike arritën koalicionet e tyre parazgjedhore për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017.
Toleranca e gabimeve numerike të ndikimit në rezultatin përfundimtar të këtij sondazhi, supozohet të ketë devijim prej 1.8% deri 2.4%, si përllogaritje statistikore.
Qendra për Hulumtime “Alternativa”, me seli në Prishtinë, është kompani joqeveritare e themeluar enkas për hulumtim dhe e specializuar në matjen e opinionit publik, që ndërlidhet me votuesit potencialë të subjekteve politike në Kosovë.