​Erdhi për të dëshmuar për Rastin Lumezi, shteti ia pagoi biletat

Prishtinë | 09 Nën 2017 | 15:31 | Nga

Zymer Krasniqi ka udhëtuar javën e kaluar nga Gjermania në Prishtinë për tu deklaruar në Prokurori për rastin e dosjes së jurisprudencës së Kryeprokurorit Lumezi. Shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit dy ditorë të Zymer Krasniqit janë hequr të gjitha nga autoritetet kosovare.

Zymer Krasniqi, emri i të cilit ishte fshirë për t’u shkruar ai i Aleksandër Lumezit në dosjen e provimit të jurisprudencës, të martën e javës së kaluar ka qëndruar në Prishtinë.

Ai ka pranuar të vijë nga Gjermania ku banon me familje qysh nga vitit 1991 për të dhënë versionin e tij për rastin e dyshimeve se dosja e Jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shëtit është manipuluar në dosjen e tij.

Vetë Zymer Krasniqi, që sot ka mbiemër tjetër, Tahiri, ka treguar për Gazetën Express se shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit dy ditorë në Prishtinë janë mbuluar të gjitha nga autoritetet kosovare, me ftesë të të cilëve edhe ka ardhur për dëshmi.

“Ata më kanë thirrë. A ki mundësi me ardhë, ju kamë thanë në çdo kohë, kur të doni une vi, se jom i pastër si loti”, ka thënë Zymer Krasniqi.

“Mi kanë pagu, biletën hotelin krejt”, ka shtuar ai, pas interesimit të Gazetës Express se kush i ka mbuluar shpenzimet e udhëtimit të tij.

Tutje, 60 vjeçari me prejardhje nga Deçani ka thënë se nuk e di sa ka kushtuar udhëtimi dhe qëndrimi i tij në Kosovë, që është paguar nga buxheti i shtetit.

Zymer Krasniqi në Gjermani është kthyer të mërkurën e kaluar, një ditë pasi ka dëshmuar para Prokurorit Kujtim Munishi, një tjetër prokurorit të EULEX’it dhe një hetuesi të Policisë së Kosovës, të cilët e kanë marrë në pyetje.

Ndryshe, Gazeta Express të mërkurën ka sjellë të plotë rrëfimin që Zymer Krasniqi ka dhënë për Express rreth dosjes së Lumezit. Ai në gjatë bisedës përmes telefonit, nga Gjermania, ka mohuar të jetë njohur ndonjëherë me Kryeprokurorin Aleksandër Lumezi dhe të jetë i përfshirë në falsifikimin e dosjes së tij të jurisprudencës.

Deçanasi ka shtuar se nëse ka ndodhur falsifikimi, atëherë ai është kryer nga Komisioni i provimit të Judikaturës.

Zymer Krasniqi nga Prapaqani i Deçanit, bashkë me familje banon në Gjermani prej kohës kur ishin dëbuar nga vendet e punës nga regjimi i ish-Jugosllavisë. Zymer Krasniqi kishte punuar si praktikant në Gjykatën e Deçanit për gati një vit.

Po atë vit e gjithë familja e tij kishin ndërruar mbiemrin nga Krasniqi në Tahiri.

Koha kur Zymeri ishte larguar nga Kosova dhe kishte ndërruar mbiemrin me katër vëllezërit, është viti 1991, kur edhe ai kreu provimin e jurisprudencës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme