Shkoi ta përkujtojë tek varri, por kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, as pas 17 viteve, nuk pret që shpejtë të zbardhet vrasja e ish-kryetarit të Klinës, Ismet Rraci. Përballjen me drejtësinë të vrasësit të një prej themeluesve të LDK-së, Muhaxheri nuk pret ta bëjë as Gjykata Speciale.
Të jashtëzakonshëm dhe punëtor, e përshkruan Gazmend Muhaxheri ish-kryetarin e Klinës Ismet Rraci. Ky i fundit, më 23 prill të vitit 2001, u vra pranë banesës së tij, nga persona kurrë të identifikuar.
Se kush ka mundur dhe cilat kanë qenë motivet e vrasjes së një prej themeluesve të LDK-së, 17 vite pas thotë se nuk mund t’i dijë ende as personi që tash po synon ta marrë drejtimin e kësaj partie.
“Unë shkova me nderu një njeri të jashtëzakonshëm, që ka punu shumë, dhe padrejtësisht është nda prej jetës. Këto pjesët tjera i mbeten drejtësisë kosovare me u marrë”, tha Gazmend Muhaxheri për Gazeten Express, pas homazheve që bëri tek varri i ish veprimtarit të LDK’së, i afërt me ish-presidentin Rugova.
E se kur drejtësia kosovare do të vë përballë saj atentatorin e ish-kryetarit të Klinës, Muhaxheri thotë:
“Ndoshta kur të shnoshet pak nga sëmundjet që vuan”.
Tutje, i pari i Pejës thotë se nuk mund të akuzojë as SHIK’un për këto vrasje, siç zakonisht kanë bërë zyrtarët e LDK-së.
“Unë se di. Nuk kam qysh me mëndu kush i ka ba. Duhet drejtësia me u marrë me këtë punë, për mos me shku akuzat majtas djathtas, por me adresu çështjen ku duhet”, tha ai për Gazetën Express, përmes telefonit.
E në fund të bisedës, Gazmend Muhaxheri thotë se nuk beson që as Gjykata Speciale nuk do të merret me vrasjen e Ismet Rracit, sikurse as me vrasjet e zyrtarëve tjerë të LDK’së që kanë ndodhur në vitet e para të pasluftës në Kosovë.
“Nuk e besoj që mundet me u marrë, këto janë raste të vitit 2001”, tha ai.
Ndryshe, në përvjetorin e vrasjes së tij, Lidhja Demokratike e Kosovës ka përkujtuar ish-kryetarin e Komunës së Klinës, Ismet Rracin. Ky subjekt politik ka kërkuar drejtësi për vrasjen e Rracit dhe të gjithë veprimtarëve tjerë të LDK-së.