​Ronaldo zemërohet, i bërtet edhe Allegrit

Prishtinë | 05 Mar 2019 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Ylli portugez i Juventusit, Cristiano Ronaldo, nuk ishte aspak i lumtur me paraqitjen dhe veprimet e skuadrës së tij, gjatë pjesës së dytë në ndeshjen kundër Napolit, në kuadër të Serisë A.

Futbollistët e “Zonjës së Vjetër” nuk bënin presion në sulm dhe portugezi tentoi t’i nxitë bashkëlojtarët e tij, në mënyrë që të mos e lejojnë skuadrën e Napolit të dominojë.

Mirëpo, kjo nuk i mjaftoi Ronaldos. Ai u sigurua që edhe trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, i ka të qarta mendimet e portugezit. Kur ai e kuptoi që është i vetmi i cili po bën presion në pjesën e fushës së kundërshtarit, ai kthehet drejt Allegrit dhe bërtet: “Zotëri!”

Ronaldo kërkoi nga bashkëlojtarët e tij që të luajnë futboll më sulmues dhe të bëj më shumë presion kur Napoli e ka topin. Pikërisht kjo gjë do t’i nevojitet Juventusit edhe në ndeshjen kundër Atletico Madridit.

Juventusi e fitoi përballjen kundër Napolit me rezultat 2:1. Kjo ndeshje ishte mjaft dramatike pasi që të dy skuadrat mbetën me nga dhjetë futbollistë në fushë, për shkak të kartonëve të kuq. Për më tepër, Lorenzo Insigne e humbi një penallti në fund të ndeshjes, që do t’ia kishte siguruar barazimin Napolit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme