1/3 e atyre që sëmuren nga kanceri vdesin nga duhanpirja

Prishtinë | 31 Maj 2019 | 11:18 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është shënuar Dita Botërore Kundër Duhanit në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Institutit, Naser Ramadani, u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkëngjiten thirrjes për një shëndet të pastër pa duhan.

“Dita pa duhan është një ditë që mbahet nga 1987 kur Organizata Botërore e Shëndetit organizon këtë ditë. Qëllimi kësaj dite është rritja e vetëdijesimit për dëmet që sjell duhani”, tha ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se kjo ditë shërben për sensibilizim të të gjithëve duke shtuar se Ligji për Kontrollin e Duhanit i miratuar në vitin 2013 nga Kuvendi i Kosovës, paraqet një pako të masave që po ndërmerren, ndër to më e efektshmja, thotë ai, është rritja e taksave të duhanit.

“Ligji për kontrollin e duhanit është një ligj i bazuar në kornizat e OBSH. MSH-ja që ka qenë sponsorizuese e saj është duke përfunduar ligjin sekondar. Konventa e kornizës së OBSH-së është dokument historik në promovimin e shëndetit publik. Konventa e OBSH-së që paraqet skeletin e ligjit paraqet një pako të masave. Sa i përket masës së monitorimit që është tregues i mirë hulumtimet rreth duhanpirjes na tregojnë ku jemi tash. Rezultatet kanë treguar se 28.4 për qind e kosovarëve kanë konsumuar duhanin para se ligji të hyjë në fuqi. Pas hyrjes në fuqi të ligjit konsumimi ka qenë 26.8 për qind. Një hulumtim tjetër ka qenë GYTS që ka sjellë të dhëna inkurajuese të duhanpirjes. Nëse krahasojmë shohim që konsumi ka rënë në 4.4”, ka thënë Hoti, raporton Ekonomia Online.

“…Ligji ndalon pirjen e duhanit në hapësira si ato publike, të punës, lojëra të fëmijëve dhe disa hapësira të hapura si stadiumet. Masa e tretë është ofrimi i ndihmës për lënien e duhanit, në Kosovë jemi në stadin e fundit. Masa tjetër është paralajmërimi për rreziqet nga duhani, MSH-ja ka bërë përparime në këtë fushë. Në vendosjen e fotografive që përdoret si vetëdijësues ndikojnë në lënien e duhanit tek fëmijët. Masa tjetër është ndalimi i reklamave të promovimit të duhanit. Masa që konsiderohet më drastike, por që ndikon më së shumti në uljen e konsumimit të duhanit është rritja e taksave të duhanit. Nga 2012 ka pasur rritje progresive të taksës. Është një masë efektive në ndalimin e pirjes së duhanit. Duhani është si një ortek i cili nuk mund të largohet nëse je vetëm, duhet mobilizim i institucioneve, shoqërisë”.

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti, tha se duhani po ndikon në paraqitjen e shtuar të sëmundjes së kancerit ndërsa shtoi se të rrezikuar janë edhe ata persona që qëndrojnë në ambient të përbashkët me duhanpirës.

“1/3 e popullatës që sëmuret nga kanceri vdesin pikërisht prej duhanit. Numri i kancereve është i shtuar dhe te femrat që pinë më tepër se më parë, fatkeqësi më e madhe është se vuajnë edhe duhanpirësit pasiv sidomos te fëmijët.  Numri i fëmijëve që vuajnë nga sëmundjet po rritet nga dita në ditë si pasojë e keqpërdorimit të duhanpirësve. Kjo i kushton edhe buxhetit jo vetëm qytetarit, por edhe shtetit. Kjo shkakton vdekshmëri, është më herët se që kishte me qenë”, tha ajo, raporton EO.

Arben Lila, anëtar i Kosovo Advocacy and Development Centre (KADC), tha se bashkërisht duhet të ndihmojnë në funksionimin e kontrollit të duhanit sipas ligjit që e kontrollon këtë.

“Raporti i Progresit i publikuar pardje ka përsërit se Kosova ka ligj për duhanit, por zbatimi tij ka filluar të bjerë. Plani i veprimit të kontrollit të duhanit është qe disa vite, por duhet vetëm dora e ministrit që me e fillu këtë ta funksionoj. Sot kur kemi ardhë deri të vullneti politik, ministri e ka të vështirë ta mbajë larg industrinë e duhanit. Kemi obligimin që t’i mbledhim forcat dhe të ndihmojmë ministrin Ismaili që vullnetin e tij personal ta shndërrojmë në vullnet politik. Kosova do të ketë prosperitet vetëm kur të ka shoqëri të shëndoshë”, tha Lila, raporton EO.

Të ngjashme