Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale në bashkëpunim me Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) zyra në Prishtinë lansuan raportet në lidhje me Programet Shëndetësore të partive politike.
Qëllimi i këtyre publikimeve është të vlerësoj ofertën e partive politike karshi një prej problemeve kyçe të sektorit shëndetësorë në Kosovë, pra implementimit të skemës së re të sigurimeve shëndetësore dhe funksionalizimit të SHSKUK-së.
Interesi është që të kuptojmë planet konkrete të partive politike në lidhje me implementimin, e jo vetëm premtimin e përgjithshëm se implementimi i skemës së sigurimeve është prioritet i entitetit politik ose deklarata të ngjashme
Në përgjithësi, mund të thuhet se të tri blloqet kryesore politike e kane menduar çështjen e sigurimeve shëndetësore dhe implementimin e tyre si dhe kanë elemente origjinale në qasjen ndaj implementimit të skemës shëndetësore.
Përgjithësisht, mbetet paksa i paqartë plani i tyre për të realizuar një gjë të tillë. Ekzistenca e një plani pak më të qartë na duket si parakusht për një realizim të këtij premtimi, pasi që shumë vite nuk ka pasur lëvizje serioze drejt realizimit konkret të kësaj skeme në terren.
Ndërsa krijimi i Shërbimit Spitalor dhe Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka qenë një nga shtyllat e reformës së sistemit shëndetësor të promovuar nga Ministria e Shëndetësisë gjatë mandatit që ka përfunduar më 2014.
Përderisa propozimet nga koalicioni i udhëhequr nga LDK-ja si dhe Lëvizja Vetëvendosje japin disa principe të përgjithshme sa i përket masave që do të ndërmarrin lidhur me riorganizimin e SHSKUK-së, koalicioni i udhëhequr nga PDK duket të ketë një vizion më të qartë për riorganizimin e sistemit spitalor publik që korrespondon me nevojat në terren.
Janë dy çështje themelore qe nuk janë komplet të specifikuara në programet politike e që janë qenësore ne ecjen përpara. Së pari, principi themelor është se SHSKUK-ja mund të mbetet një mundësi e mirë për të adresuar disa çështje kyçe në sistemin e kujdesit shëndetësor, por jo të jetë njësia udhëheqëse/administruese e sistemit publik spitalor në Kosovë.
Pra, nuk ka nevojë të zhduket, SHSKUK-ja mund të jetë një mekanizëm për koordinim më të mirë të kujdesit shëndetësor, vlerësim të vazhdueshëm të performancës së institucioneve shëndetësore, fuqizim të standardeve të kujdesit, përkrahës në ndërtimin organizativ të spitaleve dhe ndihmës në procesin e planifikimit të burimeve njerëzore.
Së dyti, kushdo që e marrin timonin për drejtimin e sektorit shëndetësor duhet të punojnë në rishikimin e të gjitha instrumenteve ligjore që definojnë sistemin aktual. Kjo mund të përfshijë rishqyrtimin e ligjit të shëndetësisë, udhëzimit administrativ që rregullon punën e SHSKUK-së si dhe statutit e SHSKUK-së.