15 persona pjesë e eksperimentit të izolimit në Francë, qëndruan për 40 ditë në shpellë

Prishtinë | 24 Pri 2021 | 13:53 | Nga Ekonomia Online

Pas 40 ditësh të izoluar në një shpellë të errët, të lagësht dhe të madhe, tetë burra dhe shtatë gra që morën pjesë vullnetarisht në eksperimentin shkencor, kanë dalë jashtë.

Me buzëqeshje në fytyra 15 pjesëmarrësit dolën nga shpella Lombrives në Francë nën shoqërinë e duartrokitjeve dhe u përballën me dritën me syze speciale për të mbrojtur sytë.

Për 40 ditë dhe 40 net, grupi jetoi brenda dhe eksploroi shpellën pa pasur sensin e kohës. Nuk pati orë dhe dritë brenda, ndërsa temperatura ishte 10 gradë celsius. Ata nuk kishin kontakt me jashtë, asnjë informacion për pandeminë apo komunikim me miqtë e familjen, shkruan AP. 

Shkencëtarët e Institutit “Human Adaption” që drejtojnë projektin me 1.2 milionë euro, thanë se eksperimenti do t’i ndihmojë të kuptojnë m mirë se si njerëzit adaptohen me ndryshimet drastike në kushtet e jetesës dhe ambientit, diçka që bota tash mund ta kuptojë për shkak të pandemisë me COVID-19.

Në bashkëpunim me laboratorët në Francë dhe Zvicër, shkencëtarët monitoruan grupin prej 15 personave se si flinin, si ndërvepronin e sjelljet e tyre, përmes sensorëve. Një nga sensorët ishte një termometër i vogël brenda një kapsule që pjesëmarrësit e gëlltitën si pilulë. Kapsulat matnin temperaturën e trupit dhe transmetonin të dhënat në një kompjuter deri kur ato shkatërroheshin.

Grupi ndoqën orët biologjike për të ditur kur të zgjohen, të flenë dhe kur të hanë. Ata njehën ditët jo në bazë të orëve, por sipas cikleve të gjumit.

Kur shkencëtarët u futën në shpellë për t’u thënë se do të dalin, disa prej pjesëmarrësve u thanë se mendonin se kishin ende edhe një javë apo 10 ditë për të qëndruar.

Edhe pse pjesëmarrësit në eksperiment dukeshin të lodhur, 2/3 e tyre shprehën dëshirën për të qëndruar më gjatë në shpellë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme