Presidenti amerikan Donald Trump e prezantoi fillimisht idenë e Bordit të Paqes si pjesë e fazës së dytë të planit 20-pikësh të paqes për Gazën. Këshilli i Sigurimit i OKB-së e mbështeti planin në muajin nëntor, duke i dhënë legjitimitet ndërkombëtar, me mandatin për të mbikëqyrur demilitarizimin dhe rindërtimin e Gazës. Por planet e Trump ishin më afatgjata dhe me rreze më të gjerë veprimi.
Në draft-statutin që u dërgua bashkë me ftesat për vendet pjesëmarrëse, Bordi i Paqes përshkruhet si një organizatë ndërkombëtare që promovon stabilitet, paqe dhe qeverisje në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti, shkruan A2 CNN. Trump do të shërbejë si kryetar bordi për një kohë të pacaktuar, duke synuar ta mbajë postin edhe pas përfundimit të mandatit të tij të dytë si president.
Në një strukturë në formë piramidale, Trump ka fuqi të zgjeruara: ai mund të ftojë një pjesëtar, ka të drejtë vetoje ndaj të gjitha vendimeve dhe mund të krijojë ose modifikojë organizmat në varësi.
Bordi i Paqes do të qëndrojë mbi një “Komitet Ekzekutiv Themelues” që përfshin dhëndrin e Trump-it, Jared Kushner, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të dërguarin special Steve Witkoff dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair.
Në terren, në Gaza, do të vendoset bullgari Nickolay Mladenov, i cili ka shërbyer si koordinator i OKB-së për procesin e paqes dhe do të jetë lidhja mes Komitetit Ekzekutiv dhe Komitetit Kombëtar për administrimin e Gazës, i udhëhequr nga Ali Sha’at, ish-ministër i Autoritetit Palestinez në Ramallah. Ai, së bashku me një skuadër teknokratësh palestinezë, do të udhëheqë territorin në këtë fazë tranzicioni.
Trump ka ftuar rreth 60 vende që t’i bashkohen bordit, i cili synon të përpiqet të zgjidhë konfliktet globale, por në ceremoninë e nënshkrimit në kuadër të Forumi Ekonomik Botëror në Davos morën pjesë rreth 20 vende.
Fushëveprimi i Bordit ka alarmuar disa aleatë të SHBA-së, ashtu si edhe komenti i kreut të Shtëpisë së Bardhë se “mund” të zëvendësojë OKB-në. Kundërshtarë të SHBA-së, si Kina dhe Rusia, bashkë me shtete represive si Bjellorusia, janë mes atyre që janë ftuar t’i bashkohen bordit, i cili ofron karrige të përhershme për ata që janë të gatshëm të paguajnë një faturë prej 1 miliardë dollarësh.
Mes rreth 24 vendeve që kanë pranuar ftesën e presidentit Trump janë Shqipëria, Kosova, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Egjipti, Katari, Bahreini, Pakistani, Turqia, Maroku, Argjentina, Paraguai, Kazakistani, Mongolia, Uzbekistani, Armenia dhe Azerbajxhani.
Palestina nuk është anëtare, por Izraeli i Benjamin Netanjahu, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Europa është e ndarë mbi Bordin e Paqes të Trump, me shumicën e demokracive që kanë shprehur shqetësime të mëdha për kompetencat e zgjeruara të bordit, kryesimin në afat të pacaktuar të Trump dhe dëmet e mundshme që ai mund t’i shkaktojë OKB-së. Mes shteteve të Bashkimi Europian, vetëm Hungaria dhe Bullgaria kanë sinjalizuar planet për t’iu bashkuar plotësisht skemës. Edhe Sllovakia, udhëheqësi nacionalist i së cilës është një prej aleatëve më të ngushtë të Trump në Europë, merr pjesë si vëzhguese.
Italia, Rumania, Qipro dhe Greqia konfirmuan pjesëmarrjen si vëzhgues, ndërsa disa vende, si Danimarka dhe Letonia, nuk morën ftesë.
Dy ekonomitë më të mëdha të bllokut, Gjermania dhe Franca, refuzuan me shpejtësi ftesën e kreut të Shtëpisë së Bardhë, duke e shtyrë presidentin Trump të paralajmërojë presidentin francez për vendosjen e tarifave prej 200 për qind ndaj produkteve franceze.
Shtetet përmendin si shqetësim pushtetin e zgjeruar që ka Trump si kryetar i bordit, përfshirë autoritetin për të zgjedhur pasuesin e tij.
Papa Leoni, i cili udhëheq 1.4 miliardë katolikë në mbarë botën, e refuzoi ftesën për të qenë pjesë e bordit, duke theksuar se situatat e krizave globale duhet të menaxhohen nga OKB-ja.
Vetë Bashkimi Europian ka deklaruar se nuk dëshiron t’i bashkohet nismës, ndërsa presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, refuzoi ftesën për pjesëmarrje në takimin e së enjtes.