Policia në Prizren ka arrestuar një person i cili kishte ushtruar dhunë në familje, derisa kishte qenë në arrest shtëpiak.
Rasti ka ndodhur pasditen e së mërkurës, në rrugën “Xhavit Bajraktari” në Prizren.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari nuk i është bindur urdhrit të policisë, e po ashtu ka mbajtur në dorë një thikë kuzhine me të cilën ka kërcënuar se do t’iu shkaktojë lëndime zyrtarëve policorë dhe vetes.
“Me datë 17 nëntor 2021, rreth orës 17:10, policia kishte pranuar informacion se në rrugën “Xhavit Bajraktari” në Prizren, një i dyshimtë i cili ishte në arrest shtëpiak me urdhër të gjykatës, ishte duke ushtruar dhunë në familje. Pasi njësitë policore ju përgjigjen thirrjes, i dyshuari nuk ju bind urdhrit të policisë, madje mbante një thikë kuzhine në dorë duke i kërcënuar policinë për lëndime të zyrtarëve dhe vetës së tij”, thuhet në njoftimin e policisë.
I dyshuari është arrestuar nga Njësia e Reagimit të Parë të policisë.
“Duke pasur parasysh se i dyshimti është recidivist i veprave penale dhe mund të paraqesë rrezik, në vendin e ngjarjes reaguan njësia profesionale të Njësisë së Reagimit të Shpejtë, të cilët e neutralizuan të dyshimtin, i njëjti u arrestua në vendin e ngjarjes dhe në cilësinë e provës materiale ju është sekuestruar një thikë kuzhine rreth 15cm”, thuhet në njoftim.
I dyshuari i moshës 18-vjeçare është ndaluar për 48 orë.
“I dyshimti H.L i lindur në vitin 2003, është intervistuar në prezence të avokatit mbrojtës. Pas deklarimit policia e informoi prokurorin e Shtetit i cili lëshoi aktvendim për ndalim në afat prej 48 orë. Rasti është nën hetime”, ka bërë të ditur policia.