2 Korriku i papërmbushur

Prishtinë | 28 Qer 2020 | 08:39 | Nga Ekonomia Online

Kosova nuk e ka rrumbullakuar shtetësinë, ani se tri dekada më parë bazat e subjektivitetit të Republikës janë vënë edhe në rrugë institucionale me Deklaratën Kushtetuese që e kishin firmosur 114 delegatë të Kuvendit që atëkohë përfaqësonin Kosovën me status krahine në Serbi.

Shteti lëngon nga brenda, ndërsa vazhdon të mos e ketë të përmbyllur njohjen ndërkombëtare, shkruan KOHA. 

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të 1990-s është konsideruar themel i Kushtetutës që Kosovën e shpalli Republikë, më shumë se dy muaj më pas në Kaçanik.

Në vijimësi të këtyre hapave ishte organizuar referendumi që konfirmoi vullnetin e popullit për shtet të pavarur e sovran. Diku një dekadë rresht shqiptarët u organizuan në shtetin paralel, deri në qershorin e 1999-s, kur përfundimisht Serbia lëshoi Kosovën pas kapitullimit në betejën, fillimisht kundër Ushtrisë Çlirimtare e më vonë edhe kundër aleancës ushtarake më të madhe në botë – NATO.

Kosova është shtet që nga 17 Shkurti i 2008-s, por ka një dekadë që negocion me Serbinë për një marrëveshje finale. Faza përmbyllëse e këtij procesi është planifikuar për sivjet, dhe një nga takimet kryesore ishte thirrur nga Shtëpia e Bardhë për datën 27 qershor. Kosova ka anuluar pjesëmarrjen, pasi rrugës për në Uashington, Gjykata Speciale me seli në Hagë ka dhënë kumtin se presidenti Hashim Thaçi, i cili po i printe delegacionit, është në mesin e të dyshuarve për krime të luftës, që supozohet të jenë kryer 20 vjet më herët. Për pasojë, vendi ka hyrë në një paqartësi të re e dialogu në status quo.

Historia nis në korzo

Ndërsa gazetari Zenun Çelaj po shëtiste në korzonë e kryeqytetit, që sot i përgjigjet sheshit “Nënë Tereza”, akademiku Gazmend Zajmi i kishte kërkuar: meqë njeh delegatë, u thuaj të miratojnë një deklaratë kushtetuese, ashtu siç kishin vepruar aso kohe Sllovenia dhe vendet e Baltikut.

“Kështu i vihen themelet historike Republikës së Kosovës”, i kishte thënë Zajmi Çelajt.

Doajeni i gazetarisë, që aktualisht është kryeredaktor i Koha.Net, tregon çfarë përgjigjeje i kishte dhënë akademikut që ishte prej profesorëve universitarë me të zotë në lëmin e së drejtës kushtetuese. Ia kishte shprehur pikëpamjen se zor të kishte njerëz ndër delegatë që do ta bënin si duhet këtë punë.

“Dhe ai, papritur, ma ktheu: ‘Këtë punë e bëj unë. Që nesër do të jetë gati’”, tregon Çelaj. “E lamë të takoheshim në vendin dhe kohën ku zakonisht piqeshim”.

Pastaj kishin shkuar në shtëpinë e Çelajt, në lagjen “Velani” të kryeqytetit. Aty Zajmi ia kishte diktuar tekstin e dokumentit që do të mbahet në mend si Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, por që titullin origjinal e kishte: “De­klarata Ku­­sh­tetuese mbi Kosovën si njësi e pavarur dhe e barabartë në kuadër të Federatës (Konfederatës) së Jugosllavisë, si subjekt i barabartë me njësitë e tjera në federatë (konfederatë)”.

Zajmi ia kishte dorëzuar Çelajt letrën me tekstin e Deklaratës në dorëshkrim, që kishte gjashtë pika, përveç preambulës, pasi e kishte shtypur në makinën “Olivetti”, me të cilën punonte prej vitesh njeriu që një jetë e ka çuar në gazetari. Çelaj thotë se e kishte copëtuar që të mos mbetej gjurmë që do ta identifikonin autorin e vërtetë. Zajmi ishte personalitet i ndjeshëm e Çelaj nuk donte që në rast të penalizmit të saj të dihej autori.

Të ngjashme