Rrallë ndodh që Kosova të lavdërohet për ndonjë veprim apo sukses nga Bashkimi Evropian. Shpesh në raporte ka më shumë kritika sesa lëvdata. Por edhe në çështjet kur ka lëvdata, shpesh është fjala për diçka që nuk do të duhej të ishte gjë e mirë për Kosovën.
Kështu, në vitin 2016 Kosova mori lëvdata për përmbushjen e obligimeve të saj për krijimin e Gjykatës Speciale, apo më saktësisht “dhomat e specializuara të Kosovës” siç u emërtuan gjatë prezantimin në Hagë.
Sido që ta ketë emrin kjo gjykatë speciale, ajo do të merret me rastet e krimeve të luftës, të krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të tjera të kryera nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, që janë përmendur në Raportin e Dick Martyt, i cili më vonë ishte miratuar edhe si Raport i Këshillit të Evropës.
Edhe pse më herët kishte paralajmëruar se do ta padiste senatorin zviceran për shpifje, presidenti i tashëm i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vitit 2016 tha në Bruksel se ai është “kampion i krijimit të Gjykatës Speciale” sepse, sipas fjalëve të tij, “Kosova nuk ka çfarë të fshehë”. (Koha Ditore)