Kanë përfunduar praktiken tremujore 23 studentë nga grupi i tretë në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
Ky grup i studentëve është nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilët ishin përzgjedhur për angazhim në punë praktike në ATK, në bazë të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Financave dhe UP “Hasan Prishtina”. Studentët ishin nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, Fakulteti Juridik dhe Fakulteti Ekonomik.
Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, ka thënë do të vazhdojnë edhe më tutje që t’i përkrahim studentët profesionalisht, në mënyrë që të jenë të përgatitur për tregun e punës.
“Ajo çka keni mund të mësoni nga Administrata Tatimore është një arritje e madhe për juve dhe karrierën tuaj, pasi që ashtu siç e dini, Administratat Tatimore është institucion i cili garanton stabilitet financiar në vend, me mjete që grumbullojmë, qytetarëve u mundësohet një mirëqenie më e mirë”, theksoi kreu i ATK-së.
Në fund, Imeri shprehu lëvdata për angazhimin maksimal dhe profesional që kanë treguar studentët gjatë kësaj periudhe.