25 vjetori i Masakrës së Poklekut, Osmani: Urdhërdhënësit lere që s’janë dënuar, por marrin edhe medalje nga Vuçiqi

Drenas | 17 Pri 2024 | 11:31 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja e Republikës se Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, kanë bërë homazhe në fshatin Poklek, raporton Ekonomia Online.

Osmani përveç thirrjes për drejtësi deklaroi se 17 prilli është prej përvjetorëve më të renda për Kosovën si shkak i masakrave të kryera.

“Sot më 17 prill është një prej përvjetorëve më të renda për Republikën e Kosovës për shkak se ne përkujtojmë shumë masakra të kryera ndaj civilëve, e këtu në Poklek është ndër masakrat më të tmerrshme, një holokaust për nga ngjashmëria që është kryer ndaj fëmijëve, pleqve, grave, foshnjave edhe 6 muajshe. Në Poklek, në shtëpinë që do ta vizitojmë së shpejti janë djegur disa herë radhazi civil të cilët nuk u kursyen pavarësisht moshës, janë ekzekutuar foshnje të cilët e tëra çfarë donin ishte të jetonin të sigurte, me prindërit e tyre të lirë”, tha Osmani.

“Më e vogla e kësaj masakre kishte emrin Liri, 6 muajshe si simbolikë për sakrificën që edhe Liria edhe familja e saj do ta benën në mënyrë që ne sot te jetojë të lire. Në këtë përvjetor dhe çdo përvjetor tjetër thirrja jone është për drejtësi, ata që urdhëruan këtë masakër dihen me emër dhe mbiemër Qendra për të Drejta Humanitare ka mbledhur provat për personin që atë ditë ishte në krye te forcave policore që kanë djegur e ekzekutuar këto familje, por për fat të keq ata që kanë urdhëruar lëre që nuk janë prapa grilave por kanë marrë medalje nga Aleksandër Vuçiq i cili sot është në krye të Serbisë”, u shpreh Osmani.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se masakra në fshatin Poklek është një prej akteve më gjenocidiale që Serbia i kreu mbi popullatën shqiptare.

“Jemi këtu në Poklek së bashku me familjarët e atyre të cilët u masakruan nga forcat e Serbisë më 17 prill 1999. Janë bërë 25 vjet prej kur ka ndodhur njëra prej masakrave më të tmerrshme në Kosovë. Pra 25 vjet më parë ndodhi njëra prej akteve të gjenocidit që Serbia okupatori i kreu mbi popullatën civile”, tha Konjufca.

Pas homazheve vizituan edhe shtëpinë brenda së cilës u dogjën civil, fëmijë, gra e burra.

Të ngjashme