Auditori i Përgjithshëm e ka vërtetuar pafuqinë e Administratës Tatimore të Kosovës karshi naftëtarëve. Përkundër që procesi i fiskalizimit të naftëtarëve ka nisur në vitin 2012, ATK-ja deri më tani nuk ka arritur t’i fiskalizojë as gjysmën e tyre.
Projekti i ATK-së ka qenë që të gjitha pikat e shitjes së karburanteve të pajisen me një sistem të veçantë të fiskalizimit i cili përveç lëshimit të kuponëve fiskalë e regjistron sasinë e naftës që shitet. Ky sistem ishte bërë për të ulur sasinë e naftës së kontrabanduar.
Auditori ka konstatuar që ATK-ja ka dështuar t’i fiskalizojë naftëtarët në vitin 2016 përkundër që e kishte vendosur si një ndër objektivat kryesore të punës.
“ATK-ja për vitin 2016 në planin e punës kishte caktuar si një ndër objektivat kryesore fiskalizimin e bizneseve që merren me tregtimin e derivateve”, thuhet në raportin e ATK-së.
Gjysma e pikave të shitjes së karburanteve ende nuk e kanë montuar sistemin e veçantë të fiskalizimit përkundër që një gjë e tillë ishte bërë e obligueshme për ta nga ATK-ja tash e disa vite.
“Sipas shënimeve të ATK-së, nr. i bizneseve në Kosovë që zhvillojnë tregti me derivate është 333, me gjithsej 539 pika të shitjes. Prej këtij numri me arka fiskale janë të pajisura 258 pika të shitjes, ose 48% e tyre, ndërsa 281 pika të shitjes, ose 52% edhe më tutje operojnë pa arka fiskale”, thuhet në raportin e auditorit.
Interesimi për t’u pajisur me arka fiskale u rrit pasi u ul çmimi i arkës nga futja e një operatori të ri.
“Sipas ATK-së vështirësitë me të cilat janë ballafaquar në përmbushjen e kësaj objektive ishte refuzimi i bizneseve për t’u pajisur me arkën fiskale për shkak të çmimit të lartë. Megjithatë, në vitin 2016 ishte licencuar edhe një operator për shitjen e Pajisjeve Elektronike Fiskale (PEF) dhe se kjo kishte ndikuar në uljen e çmimit dhe në rritjen e interesimit të bizneseve për të pajisur me PEF”, thuhet në raportin e auditorit.
Auditori ka konstatuar se vazhdimi i afatit për faljen e borxheve, detyroi ATK-në t’ua vazhdojë marrëveshjet për shërbimet e veçanta të angazhuarve në këtë projekt. Vetëm në projektin e faljes së borxheve, ATK-ja ka punësuar rreth 60 punëtorë me kontrata për marrëveshje të veçanta.
“Neni 12 i Ligjit për Shërbimin Civil 03/L-149, përcakton se afati i marrëveshjeve për shërbime të veçanta duhet të jetë më i shkurtër se gjashtë (6) muaj. ATK për zbatimin e Ligjit për Faljen e Borxheve nr.05/L-043, kishte lidhur 50 marrëveshje për shërbime të veçanta. Këto marrëveshje ishin lidhur për periudhën gjashte (6) mujore, mirëpo më pas ky afat ishte vazhduar edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë si rezultat i shtyrjes së afatit për faljen e borxheve. Në ndërkohë me 01.06.2016, ishin lidhur edhe dhjetë (10) kontrata të tjera për periudhën gjashtë (6) mujore. Më shtyrjen e afatit të faljes së borxheve deri me 01.09.2017 të gjithë të angazhuarve në këtë projekt u është vazhduar marrëveshja deri në fund të muajit korrik 2017”, thuhet në raport.
Auditori thotë se vazhdon të mbetet sfidë për ATK-në mbledhja e detyrueshme e tatimeve. Vitin e kaluar u realizua 76 për qind e planit të mbledhjes së këtyre detyrimeve.
“Në planit e punës së ATK-se për vitin 2016, nga Departamenti për Mbledhje të Detyrueshme ishin planifikuar të mblidhen borxhe në vlerë prej 89,946,809€, mirëpo ky plan nuk ishte realizuar. Deri në fund të vitit ishin mbledhur 68,306,631€ apo 76% e planit. Trajtimi i të arkëtueshmeve, rritja e tyre nga viti në vit vazhdon të mbetet sfidë për ATK-në. Mungesa e një analize për të identifikuar/nxjerrë shkaktarët e mospërmbushjes së planit të mbledhjes se borxheve ka rezultuar me një inkasim të dobët të tyre”, thotë auditori.
Në raportin e auditimit të vitit 2015 për ATK, auditori kishte dhënë 12 rekomandime. ATK i kishte adresuar plotësisht 6 rekomandime, 2 pjesërisht dhe 4 nuk ishin adresuar ende. Përderisa raporti i fundit rezultoi me 14 rekomandime për adresim.
ATK në letrën e konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit ishte pajtuar me të gjeturat e evidentuara në raport.
Auditori ka gjetur se ATK-ja nuk i ka bërë barazimet e të hyrave me Thesarin, Ministrinë e Financave, siç kërkohet me ligj. Diferenca në librat e kontabilitetit ishte prej 7 milionë e 503 mijë eurove, pasi sipas Thesarit në fund vitit 2016 të hyrat ishin 386,385,187€, ndërsa sipas kontabilitetit të ATK-së të hyrat ishin 378,881,474€. Kjo diferencë rezulton nga vonesat e shkaktuara me rastin e procedimit të pagesave në kontabilitetin e ATK-së. Mosbarazime të të hyrave, auditori kishte gjetur edhe ndërmjet raportit të Bankës Qendrore (BQK) dhe Thesarit.
“Shuma e mosbarazimit është 188,737€. Për këtë vlerë të hyrat në Thesar ishin të nënvlerësuara. Zyrtarja përgjegjëse për barazime nuk ka ofruar sqarime për këtë mosbarazimin”, thuhet në raportin e auditorit.
Administrata Tatimore e Kosovës është vonuar në kthimin e mjeteve tek bizneset. Në rastet kur ATK-ja vonohet përtej limitit ligjor për rimbursim ajo obligohet që bizneseve t’ua paguajë edhe interesin për ditët e vonuara. Por, auditori ka gjetur se ATK-ja nuk ia paguan fare interesin.
“Ne identifikuam se në tetë (8) raste, kërkesat për kthim nuk ishin shqyrtuar brenda afatit ligjor. Tejkalimi i këtij afati ligjor në një rast ishte deri në 44 ditë. ATK nuk i kishte paguar interesin tatimpaguesve për vonesat e ndodhura”, thuhet në raportin e auditorit.