5 milionë € për blerjen e druve për familjet me asistencë sociale – Kurti përmend të arriturat

Prishtinë | 06 Dhj 2023 | 10:03 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Financave ka prezantuar masën 1.2 për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike përmes mbështetjes shtesë të njëhershme për blerjen e lëndëve djegëse për ngrohje gjatë dimrit për familjet përfituese të asistencës sociale, raporton Ekonomia Online.

Subvencionimi do të bëhet përmes llogarive bankare të familjeve përfituese. Janë 21 mijë familje me 81 mijë anëtarë përfitues. Shuma totale e subvencionimit është pesë milionë euro, derisa masa është mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri Albin Kurti, tha se po mbështesin familjet me asistencë sociale për blerjen e lëndëve djegëse. Ai përmendi të arriturat e kësaj Qeverie sa i përket mirëqenies së qytetarëve.

“Shumë sfida i kemi kaluar dhe i kemi shndërruar në arritje. Varësisht nga rrethana mund të ndryshoj rrethana po asnjëherë cakun. Përkrahëm me 1.4 milion euro katër kuzhina popullore 36 mijë pako ushqimore. Qysh në vitin e parë të  Qeverisë tonë e formuar kujdesimin e nënave e  lehonave. Aktualisht jemi në proces të sipër të subvencionimit të energjisë elektrike”.

“Sot jemi bashkë për ta prezantuar edhe një masë e cila në qendër ka grupe të cenueshme të shoqërisë ata që kanë nevojë më së shumti për dorën e shtetit. 5 milionë euro kemi nda, ku qeveria do të mundësoj masën për blerjen e lëndëve djegëse për familjet me asistencë sociale. Jemi dhe do të mbetemi qeveri që udhëheq e mbështet dhe nuk lë askënd mbrapa”.

Ministri i Financave Hekuran Murati tha se në kuadër të kësaj mase për një familje katër anëtarësh do të jepen 120 euro dhe 30 euro për çdo anëtarë të familjes.

Përfitues të kësaj mase siç tha Murati do të jenë familjet me asistencë sociale.

“Masa më e fundit është kjo për familjet me asistencë sociale ku do të përftojnë për mbështetje shtesë për blerjen e lëndës djegëse, për stinën e dimrit. Pakoja energjetike emergjente është mbështetë nga Bashkimi Evropian. Janë 5 milionë euro të alokuara për këtë masë”.

“Qendrat për punë sociale i kanë familjet me asistencë sociale. Për një familje katër anëtarësh janë 120 euro dhe 30 euro për çdo anëtarë të familjes, që i bien gjithsej 240 euro për një familje katër anëtarësh. Ai po ashtu tha se janë në proces të verifikimit të familjeve, ku janë diku 21 mijë familje ”.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Fund viti është koha kur të gjithë shënojmë arritjet dhe reflektojmë mbi sfidat. Unë jam i lumtur që në fushën e mirëqenies shoqërore shumë sfida i kemi tejkaluar e madje edhe i kemi shndërruar në arritje. Bashkë na u deshtë të ballafaqohemi me pandeminë, pasojat e agresionit rus në Ukrainë dhe një krizë e gjithmbarshme energjetike. Fakti që u rrethuam nga një ambient shpeshherë i vështirë e i rëndë, vetëm se intensifikoi përkushtimin tonë drejt kujdesit për qytetarin: një shtyllë thelbësore kjo e Programit tonë Qeverisës.

Varësisht nga rrethanat mund të ketë ndryshuar metoda, por asnjëherë caku ynë përfundimtar. Si Qeveri, strategjinë për mbrojtjen dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve, e veçanërisht atyre që patën e kanë më së shumti nevojë, e ekzekutuam në dy drejtime. Në njërën anë iu përgjigjem nevojës për të lehtësuar vështirësitë që krizat e lartpërmendura shkaktuan te ekonomitë familjare. Dhe në anën tjetër, nxitëm zgjidhje të qëndrueshme te këto familje përmes punësimit në tregun e punës. Pra ishim edhe reagues e të përgjegjshëm. Edhe proaktiv e të ndërgjegjshëm.

Sa i përket të parës, atë e filluam duke rritur asistencën sociale prej 30% mbi nivelin e rregullt të saj në vitin 2021. Më pas, mbështetjen e vazhduam duke dyfishuar asistencën sociale katër herë brenda viteve 2021 dhe 2022. Mandej, përkrahëm me 1.4 milion euro 19 kuzhina popullore dhe bashkëpunuam me OJQ-të në ofrimin e mbi 36,000 pakove ushqimore dhe rreth 350,000 shujtave për shtresat e cenueshme të shoqërisë. Qysh në vitin e parë të qeverisjes sonë, e filluam kujdesin për nënat lehona dhe fëmijët nën 16 vjeç përmes shtesave për ta nga të cilat deri më tani kanë përfituar mbi 49 mijë nëna të reja dhe 387 mijë fëmijë. Aktualisht, jemi në proces e sipër të subvencionimit të energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm.

Krahas këtyre, si hap të dytë, përgatitëm dhe filluam Skemën “Qeveria për Familjet”, nëpërmjet së cilës mbi 2200 familjeve u mundësua që ta kenë së paku një anëtar të punësuar, e të cilat paraprakisht nuk kishin askënd të punësuar në ato familje. Ndërkaq, përmes marrëveshjes në vlerë prej 47 milionë euro me Bankën Botërore po synojmë një reformë të përgjithshme të skemës së asistencës sociale e cila largon diskriminimin brenda kategorive përfituese si dhe nxitë aktivizimin e përfituesve në tregun e punës.

E sot jemi bashkë për ta prezantuar edhe një masë e cila në qendër ka grupet e cenueshme të shoqërisë. Ata që kanë më së shumti nevojë për dorën e shtetit. Në mbledhjen e 174-të të Qeverisë ndamë 5 milionë euro. Më këtë shumë, Qeveria do të mundësojë subvencionimin e blerjes së lëndës djegëse për ngrohje për familjet në asistencë sociale, me qëllim tejkalimin sa më të lehtë të dimrit për këto familje. Këtë masë do ta zbatojmë në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Rreth mënyrës së subvencionimit të kësaj mase, do të na njoftoj më gjerësisht, në fjalën e tij ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z.Hekuran Murati.

Për fund dua të shtoj se pas gjithë këtyre sfidave e peripetive të më shumë se 32 muajve, për shumë muaj të tjerë përpara e vite bashkë, qytetarët tanë e dinë që përballë vështirësive të kohës ata asnjëherë nuk do të jenë vetëm ose të vetmuar. Jemi dhe do të mbetemi Qeveri që udhëheq dhe që mbështet. Që prin, dhe që nuk lë askënd prapa. 

Ju falemnderit.

Ministër Hekuran, fjala është për ju.

Të ngjashme