Abuzimi dhe ngacmimi online ndaj grave në media në Kosovë vazhdon të jetë një shqetësim serioz, me 61 për qind të të anketuarave që kanë deklaruar se janë përballur me forma të tilla gjatë punës së tyre profesionale, raporton Ekonomia Online.
Të dhënat janë bërë publike në raportin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili është realizuar në bashkëpunim me UNMIK-un dhe misionin e OSBE-së në Kosovë, me titull “Nga Analiza në Veprim: Fuqizimi i Lidershipit të Grave dhe Luftimi i Dezinformimit Gjinor në Kosovë”.
Drejtoresha ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi, e ka cilësuar këtë shifër si alarmante, duke theksuar se gazetaret shpesh shënjestrohen me informacione të rreme dhe sulme që lidhen me gjininë e tyre.
“Shifra e parë që po du me e përmendur, që është pakëz alarmante, është se 61% e grave që janë anketuar kanë deklaruar se kanë përjetuar abuzim apo ngacmim online lidhur me punën e tyre profesionale. 61% është një shifër shumë e madhe. Gra që kanë përjetuar abuzim online kanë raportuar se janë shënjestruar me informacione të rreme edhe që ka të bëjë me gjininë e tyre, edhe shpesh deklarojnë se nuk janë sulmuar për shkak të punës së tyre profesionale, mirëpo për shkak të gjinisë së tyre edhe gjithmonë aspekti personal është prezent”, tha Mulliqi.
Gazetarja Ardiana Thaqi-Mehmeti ka folur për përvojën e saj të fundit me ngacmimin online, duke e cilësuar atë si më të rëndë se përballja e parë.
“Por kjo hera e fundit që më ndodhi këtë verë ka qenë ndoshta më e rëndë se sa herën e parë. Për faktin që unë nuk kam qenë e gatshme të përballem me një version të tillë, jo për shkak të frikës, por për shkak të asaj që ndoshta nuk e kam trajtuar me kohë asaj psikologjikes, asaj brenda meje që ka ndodhur gjatë dy viteve të ballafaqimit me rastin e “AlbKings”-it, pikërisht për shkak se tashmë unë jam prind i dy fëmijëve, kam një familje e cila nuk do t’i përmend as në konferenca për media”, tha Thaqi Mehmeti.
Drejtoresha e RTK2, Aleksandra Jovanović, tha se raporti evidenton një sërë formash të presionit ndaj gazetareve.
“Dhe ky aktivitet i sotëm në fakt na tregon se gazetaret përballen me ngacmime online, me fyerje seksiste, presione dhe përpjekje për degradim profesional”, tha ajo.
Ndërsa aktivistja nga komuniteti rom, Gynesh Veshall, theksoi se përballja me komentet fyese në rrjetet sociale vazhdon prej vitesh dhe se kërkohet ndërhyrje për trajtimin e këtyre rasteve.
“Tash e disa vite jemi duke u ballafaquar si komunitet me komente fyese në rrjetet sociale, që vazhdimisht jemi duke u avokuar për marrjen e masave të këtij lloj gjërave. Kemi pasur edhe bashkëpunime të vazhdueshme me AGK-në…Tash e disa vite jemi duke u ballafaquar si komunitet me komente fyerëse në rrjetet sociale, që vazhdimisht jemi duke u avokuar për marrjen e masave të këtij lloj gjërave. Kemi pasur edhe bashkëpunime të vazhdueshme me AGK-në”, tha Veshall.
