77-vjeçari nga Shtimja dhuron pensionin për Fondin e Sigurisë

Prishtinë | 17 Mar 2022 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Bëri rrugë nga Shtimja për në Prishtinë me një qëllim. Data 15 është koha e pensioneve, e Sali Seferi vendosi që 170 euro nga pensioni i tij t’i ndajë për Fondin e Sigurisë së Kosovës.

“Jam pensionist dhe me pagën time kam vendosur të kontribuoj për Ushtrinë tonë. 170 euro i kam nda për këtë fond, vetëm 10 euro i kam ndalë për nevojat e mia në ketë muaj. Familja më ka përkrah për të kontribuar në shtetin tonë. Vajzave që janë jashtë ju kam thënë që me kontribu, por edhe djemve që i kam në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Pensionet janë të vogla, por 77-vjeçari thotë se kur është fjala për atdheun të gjithë duhet të kontribuojnë.

“Unë kisha apeluar, pa marrë parasysh sa kanë mundësi që me kontribu për shtet. 1 euro me dhanë është kontribut, çdo qytetari të Kosovës ju kisha lut që të kontribuojmë për shtetin e tyre”, ka thënë më tej ai për emisionin SOT në KTV.

Por qëllimin i moshuari nuk mundi ta realizonte, pasi që pensionistët nuk mund të bëjnë transfere. Atë në emër të tij e bëri djali i tij.

Nga 1 marsi, Qeveria ka krijuar Fondin e Sigurisë, gjë që u mundëson qytetarëve në Kosovë dhe në diasporë që të dhurojnë mjete për institucionet e sigurisë.

Të ngjashme