Derbi i madh i futbollit do të zhvillohet në një arenë që aktualisht është e vogël. Në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë, të dielën nga ora 16:00, takohen Prishtina e Drita. Si rrallë ndonjëherë, në ndeshjen e fundit të edicionit do të vendoset gara për titull. Në garë janë vetëm Drita e Prishtina dhe përballja e tyre direkte do të vendosë se kush do të jetë kampione e Kosovës në futboll për edicionin 2017\18.
Interesimi për këtë ndeshje vlerësohet të jetë shumë i madh, në Prishtinë e Gjilan, por edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Mund të ketë shumë të interesuar për të parë nga afër këtë takim. Por shumicës prej tyre kjo nuk do t’iu bëhet e mundur. Klubi Prishtina, si organizator i ndeshjes, nuk do të nxjerrë në shitje bileta, shkruan sot Koha Ditore.
Biletat, përkatësisht ftesat, do t’iu ndahen tifozëve të Prishtinës, “Plisave” dhe atyre të Dritës, “Intelektualët”. Tifozët e Dritës do të kenë në dispozicion vetëm 100 bileta, apo sipas drejtuesve të Prishtinës pesë përqind të biletave të përgjithshme për këtë ndeshje, ndërkohë që interesimi në Gjilan për të parë nga afër ndeshjen është shumë, shumë më i madh. Drita vlerësohet prej skuadrave me numrin më të madh të shikuesve në vend. Përkrahja për skuadrën e Bekim Isufit këtë edicion ishte e madhe nga ana e tifozëve. Por të “mëdha” ishin edhe rezultatet e skuadrës.