Presidenca i përgjigjet Vulinit rreth vaksinave: Gënjen duke përdorur gjuhë të urrejtjes

| 21 Nën 2021 | 18:07 | Nga

Presidentja Vjosa Osmani, të shtunën, teksa mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë Halifax, ka thënë se Serbia ka kushtëzuar disa vende afrikane që ta çnjohin Kosovën duke i ofruar vaksina ruse në kohën kur po përballeshin me mungesën e tyre.

Ndaj Osmait ka reaguar ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Në reagimin e tij Vulin ka thënë se Osmani po gënjen, ndërsa ka shtuar se Serbia ka dhuruar edhe teste për koronavirus në Kosovë e madje edhe ka vaksinuar shqiptarë të Kosovës që nuk kanë mundur të vaksinohen në Kosovë.

Blerim Vela, Shefi i Stafit të Presidentes Vjosa Osmani, në kundërpërgjigje ndaj ministrit serb, ka thënë se Vulin po vazhdon të gënjejë dhe të përdorë gjuhën e urrejtjes.

“Vulin vazhdon të gënjejë duke përdorur gjuhë të urrejtjes. Serbia joshi vendet në Afrikë dhe Lindje të Mesme me donacione të vaksinave që të mos e njohin Kosovën”, ka shkruar Vela në Twitter.

Vela ka postuar edhe një link të MPJ-së së Serbisë ku flitet për një donacion prej 40 mijë vaksinave të AstraZenecas që Serbia ia dhuroi Ugandës, njofton Telegrafi.

Të ngjashme