Ekonomia e Ukrainës do të tkurret për më tepër se një të tretën gjatë vitit 2022 nëse Rusia vazhdon luftën në Ukrainë.
Ky parashikim vjen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka përmendur se tashmë është shënuar rënia prej 10 përqind për shkak të pushtimit, që ka goditur qytete të mëdha, raporton BBC, transmeton KlanKosova.tv.
FMN ka dërguar së fundmi 1.4 miliard dollarë fonde emergjente për Ukrainën – maksimumi i lejuar sipas rregullave të veta.
“Me luftën që po vazhdon, situata mbetet jashtëzakonisht e luhatshme dhe çdo parashikim në këtë fazë është subjekt i pasigurisë masive”, thuhet në raport.
“Ekonomia mund të pësojë rënie nga 25 deri në 35 përqind”.
Edhe në vitin 2014, Ukraina kishte pësuar goditje ekonomike pas rënies së prodhimit nga 6.6 përqind deri në 10 përqind pas aneksimit të Krimesë.