Hapet sesioni informues rreth Njohjes së Mësimit Paraprak, Kosovës i kërkohet ta zhvillojë më shumë mësimin profesional

| 17 Mar 2022 | 11:03 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti “EdGuard” ka mbajtur sesion informues rreth njohjes së  mësimit paraprak, ku u vlerësua i nevojshëm për Kosovën pasi u lejon njerëzve të marrin kualifikime zyrtare. Ndërsa të papunësuarit kanë mundësi të gjejnë punë, raporton Ekonomia Online.  

Aty u kërkua që Kosova ta zhvillojë edhe arsimin profesional, për të cilën thanë se është sektori kyç për zhvillimin e vendit.

Drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, tha se njohja e mësimit është reformë e kamotshme në Kosovë, përderisa tha se hapi tjetër ka qenë sesioni informues.

“Kam nderin të ju mirëpresim në këtë sesion të njohjes së mësimit paraprak. Njohja e mësimit është reformë e kamotshme në vendin tonë. Kjo reformë ka filluar të marr një hap tjetër që është edhe sesioni informues”.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, Avni Gashi, tha se pandemia e ka përshpejtuar procesin e digjitalizimit në Kosovë.

“Procesi i zhvillimit të njohjes së mësimit ka filluar vitin 2011 duke hapur mundësinë që një sistem i tillë të vazhdohen në vend. Zhvillimi i njohjes së mësimit është produkt i gjithë partnerëve si Ministria e Arsimit. Nëse flasim se si është rregulluar kjo çështje me legjislacion është ligji i Kualifikimeve Kombëtare. AKK ka akredituar 7 institucione. Me krenari Kosova është shteti i 11-të në nivel Evrope. Ne kemi menduar të jemi në hap me kohën”, tha ai.

Menaxheri i Programit “EU policies Education”, Stergios Tragoudas, tha se lansimi i këtij projekti do t’i ndihmojë të papunësuarit të kenë më të lehtë të gjejnë punë.

“Po ndërtojmë edhe asistencën tonë në fushat që ndërlidhen me arsimin profesional. Po bëhen përpjekje në fushën e hulumtimit që mund të kontribuojnë në përpjekjet tona. Intervenime tjera ku po punojmë po i kthehem projektit tonë në vitin 2021, ku kemi lansuar studimet gjurmuese dhe këtë projekt kemi zgjedhur tri shkolla me apliku metoda bashkëkohore. Njohja e mësimit paraprak është i rëndësishëm sepse u lejon njerëzve të marrin kualifikime zyrtare. Personat e papunësuar kanë mundësi të gjejnë punë. Kosova tashmë po ecën përpara”, tha ai.

Daniele Passalacqua, Këshilltar Kryesor Teknik në projektin “KSV/020”, ka thënë se në Kosovë është mirë të zhvillohet arsimi profesional për të cilën tha se është sektori kyç në zhvillimin e Kosovës.

“Dëshirojmë të zhvillojmë fushatë vetëdijesuese për të siguruar që projekti është i fokusuar në njohjen e mësimit paraprak. Sistemi i gjurmimit të diplomuarve. Sot po e lansojmë njohjen e mësimit paraprak. Në Kosovë është mirë të fillojmë me arsimin profesional sepse është sektori kyç për zhvillimin e Kosovës. Kontributi që po jep shoqëria civile është shumë e lartë. Ky proces kërkon mjaft përpjekje por përmes trajnimeve po mundohemi ta thjeshtësojmë. Mundësi për të marrë certifikatë e rrit mundësinë edhe për punësim”, tha ai.

Arta Hoxha, Përfaqësuese e Zyrës së “LuxDev” në Kosovë, fokusi i tyre pos në arsim profesional është edhe në shëndetësi.

“Ne fokusohemi shëndetësi, në arsim profesional dhe ujësjellës e kanalizim. Sot po zhvillojmë sistemin e njohjes së mësimit paraprak. Jemi të përkushtuar të punojmë me gjithë partnerët”, tha ajo.

Të ngjashme