Është hedhur poshtë padia e Martin Berishajt kundër gazetarit slloven për shpifje

| 13 Jan 2023 | 13:36 | Nga

Në një përgjigje për këtë medium, Gjykata e Qarku në Slloveni ka bërë të ditur se gazetari nuk është dënuar dhe se ky rast ka “përfunduar pa efekt juridik”.

Nga kjo del që padia e ambasadorit Martin Berishaj është hedhur poshtë dhe se gazetari slloven nuk ka shpifur në raportimin e tij se Martin Berishajn është përfshirë në shpëlarje parash.

Anja Slak nga Gjykata e Qarkut në Slloveni ka dhënë detaje për këtë rast.

“Në Gjykatën e Qarkut në Lubjanë kemi marrë pyetjen tuaj gazetareske lidhur me lëndën II K 45570/2022. I pandehuri në këtë rast është Vitomir Petroviç, për vepër penale kundër nderit dhe emrit të mirë. Çështja mbyllet pa efekt juridik”, thuhet në përgjigjen e shkurtër nga Slak.

Ndërkaq, ditë më parë gazeta sllovene “Prava” ka botuar një artikull të gjatë, ku hulumtohen lidhjet e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt me kompaninë sllovene GEN-I.

Sipas gazetën “Prava”, dyshohet se ambasadori Berisha është paguar nga GEN-i, teksa raportohet edhe për kompaninë e Berishajt që mban emrin “MB Consulting”.

Madje, aty theksohet se ambasadori kosovar ka tërhequr 600 mijë euro para të thata (cash) në vitet 2019 dhe 2020.

Në shkrim përmendet edhe Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, mbi të cilin hidhen dyshime se është financuar nga paratë e filialit të GEN-It në Tiranë, ku janë transferuar 14 milionë euro. Tutje, Prava shkruan se dyshohet që paratë e GEN-It në Tiranë janë përdorur për të financuar fushatën e Kurtit.

Në hulumtimit e titulluar “Si e paguan Martin Berishajn nga kompania sllovene GEN-I! Ku përfunduan gati 100 milionë euro”, theksohet se ambasadori i Kosovës ka përfituar qindra mijëra euro në mënyrë të dyshimtë. Në fakt, gazeta shkruan se nëpërmjet operacioneve akrobatike të kontabilitetit, kompania sllovene GEN-I me filialet e saja në Beograd, Sarajevë e Tiranë kanë mbuluar gjurmet e gati 100 milionë eurove.

Nga këto 100 milionë euro, për të cilat raporton Prava, 60 milionë janë transferuar në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa miliona të tjera në filialin e GEN-It në Beograd e Tiranë.

“Kujtojmë që Berisha ka bërë disa tërheqje të parave cash në vitin 2019 dhe 2020 në shumën totale prej më shumë se 600 mijë euro, aq sa ka fituar Berishaj në kompaninë e tij MB Consulting gjatë këtyre dy viteve.” – shkruan Prava.

Ndërsa gazeta Prava e përmend edhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, kur shkruan rreth filialit të GEN-It në Tiranë, tek e cila raportohet të jenë transferuar 14 milionë euro nga kompania amë në Slloveni. Madje, dyshohet se nga këto 14 milionë euro të jetë financuar edhe Kurti.

“PJESA 2 GEN-I TIRANë: Si u sigurua më 2021 GEN-I që 14 milionë të zhdukeshin në rrugë ligjore për të mbuluar vrimën financiare të GEN-I Tiranë!!! Ka shumë dyshime se me këto para janë financuar edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe aktivisti slloven Nika Kovaç!” – shkruan Prava.

Edhe policia e Kosovë ka ngritur kallëzim penal ndaj ambasadorit Berishaj për shmangie të tatimi për mosdeklarim të mbi 1 milionë eurove.

Në anën tjetër, politikanë të ndryshëm, të gjithë nga opozita, analistë e madje edhe përkrahës të Kurtit tashmë kanë kërkuar dorëheqjen e Berishajt ose shkarkimin e tij nga shefi i ekzekutivit.

Por deri më tani nuk ka asnjë lëvizje në drejtim të dorëheqjes ose shkarkimit të Berishajt. Pra Kurti, por edhe anëtarë të tjerë të pushtetit, kanë qëndruar indiferentë ndaj krejt kërkesës për largimin e ambasadorit Berishaj.

Të ngjashme