Drejtori i spitalit Al-Shifa në Gaza, Muhammad Abu Salmiya, ka thënë se stafi dhe pacientët e këtij spitali ndodhet disa minuta larg vdekjes.
Në një prononcim për Al Jazeera, ai ka theksuar se kompleksi i spitalit është rrethuar dhe godinat e spitalit janë në shënjestër, raporton Klan Kosova.
“E vetmja gjë që mund të them është se kemi filluar të humbasim jetë. Pacientët po vdesin çdo minutë, viktimat dhe të plagosurit gjithashtu po vdesin – madje edhe foshnjat në inkubatorë”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka treguar se një fëmijë në inkubator ka vdekur si pasojë e kushteve të rënda në spital.
“Kompleksi i spitalit është rrethuar dhe godinat e spitalit janë në shënjestër. Çdo person që lëviz brenda kompleksit është në shënjestër. Forcat okupuese izraelite janë jashtë, duke penguar çdo person të lëvizë”, ka shtuar ai.
“Një anëtar i një ekuipazhi mjekësor që u përpoq të arrinte në inkubator për t’u dhënë një dorë ndihmë foshnjave të lindura brenda, u qëllua dhe u vra”, ka shtuar ai.
Sipas tij, spitali ka mbetur pa energji, internet, madje edhe pa ujë dhe pajisje mjekësore.
“Jemi shkëputur totalisht nga e gjithë bota, jemi disa minuta larg vdekjes së afërt. Jemi të bllokuar, kemi dërguar shumë SOS në mbarë botën – nuk ka pasur asnjë përgjigje, asnjë përgjigje”, ka thënë Muhammad Abu Salmiya.