Kosova po zbrazet por të gjithë paguajmë për të parë dhe dëgjuar antivlera

| 21 Dhj 2024 | 16:29 | Nga

Armiqtë tanë nuk luftojnë më me armë; ata kanë ndryshuar strategji, duke blerë media, politikanë dhe institucione. Në këtë luftë moderne të fshehtë, vlerat e mirëfillta janë shndërruar në viktima të një shoqërie që glorifikon antivlerat.

Në Kosovë, “elitë” quhen ata që dalin nga nëntoka, ata që ndërtojnë pasuri përmes korrupsionit dhe krimit, ndërsa njerëzit e ndershëm dhe të dijshëm shpërfillen. Shoqëria duket se vrapon pas hajdutëve dhe mashtruesve, duke i glorifikuar ata si modele të suksesit. Sot, është vështirë të gjesh një të ri që mund të numërojë 10 akademikë të shquar në dije, kulturë dhe shkencë, por të gjithë njohin “VIP-at” – njerëz të pavlerë dhe analfabetë funksionalë, të promovuar nga media që financohen nga krimi dhe interesat e errëta.

Mediat që promovojnë antivlera nuk ofrojnë asnjë hapësirë për edukim apo përmbajtje arsimore. Të rinjtë, të bombarduar nga ky realitet, ndihen të pashpresë dhe të pavlerë për të ndërtuar të ardhmen e tyre në një vend që nuk investon në edukimin dhe potencialin e tyre. Ky boshllëk e shtyn rininë drejt ikjes, pasi e shohin të pamundur të realizojnë ëndrrat dhe ambiciet e tyre në një vend që glorifikon mediokritetin dhe shpërfill vlerat e vërteta.

Në një Kosovë që ka mbetur me vetëm 1.6 milionë banorë, çdo ditë që kalon duket se largon edhe më shumë shpresë. Nuk ka zgjedhje të sinqerta apo reforma të thella që duket se mund ta shpëtojnë këtë vend, sepse shoqëria ka rënë në një gjendje të rëndë hipokrizie dhe mashtrimi.

Hipokrizia ka zënë rrënjë në çdo aspekt të jetës. Në familje, shoqëri, politikë e madje edhe në mesin e klerikëve, mbizotëron mendësia se gjithçka mund të arrihet përmes mashtrimit dhe manipulimit. Në këtë klimë, madje edhe ata që predikojnë fenë mendojnë se mund të “mashtrojnë Zotin.”

Kosova ka nevojë për një zgjerim të ndërgjegjes kolektive, një kthim tek vlerat e mirëfillta dhe një luftë të hapur kundër antivlerave që po e gërryejnë shoqërinë nga brenda. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ikja do të mbetet alternativa e vetme për të gjithë ata që ende ëndërrojnë për një jetë më të mirë.
Ju qe sot po heshteni për nje kafshate, nesër do të ngulfateni!!

Të ngjashme