Në fjalën përfundimtare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja Bukurije Gjobalaj kërkoi nga Gjykata dënimin e të akuzuarit Andi Pajaziti, kurse mbrojtja e këtij të fundit kërkoi që i akuzuari të lirohet në mungesë të provave.
Andi Pajaziti po akuzohet për vrasjen e K.R., më 4 gusht 2023, në lokalin “Bon Vivant”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, fjalën përfundimtare e paraqiti prokurorja Gjonbalaj, duke thënë se nga deklaratat e dëshmitarëve dhe provat materiale, është vërtetuar se Pajaziti është fajtor për vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore dhe armëmbajtje pa leje.
Prokurorja tha se prova më e rëndësishme që është video-incizimi, si dhe vetë ekspertiza mjekësore kanë nxjerrë përfundimin se Pajaziti duhet të shpallet fajtor për veprat penale për çka është ngarkuar.
Në fund, prokurorja Gjonbalaj kërkoi nga Gjykata që të akuzuarit Pajaziti t’i llogariten si rrethanë rënduese dënimet e kaluara për vepra penale dhe dëmi që është shkaktuar nga veprimi i tij.
“Rrethanë rënduese se i akuzuari Pajaziti është i dënuar për vepra të tjera penale dhe dëmi i shkaktuar”, tha Gjonbalaj.
I dëmtuari Granit Zeqiri deklaroi se nuk mund të drejtojë gishtin ndaj askujt se kush i ka shkaktuar dëmin, por se do të parashtrojë kërkesë pasurore-juridike.
Për të dëmtuarin Agim Zeqiri, avokati Arlind Tahiri tha se nuk i bashkëgjiten ndjekjes penale të Prokurorisë ndaj Pajazitit, pasi që veprimet e tij nuk ndërlidhen asgjë me dëmin që i është shkaktuar Zeqirit, por se parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike.
Dhe për të dëmtuarën Ardit Aliu, avokati Vahir Alija tha se paraqet kërkesë pasurore-juridike dhe se i bashkëngjitet ndjekjes penale të Prokurorisë ndaj Pajazitit.
Ndërkaq, në seancë sërish mungoi i dëmtuari Visar Ramadani- vëllai i të ndjerit K.R.