Komandanti Ismet Tara është dëshmitari i radhës në Gjykatën Speciale të Hagës, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmitari i cili gjatë luftës kishte nofkën “Komandant Hoxha”, mban kodin W04745 dhe është i 123-ti në listën e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). Ai po merret në pyetje nga Prokurorja Vega Iodice.
Pasi bëri betimin solemn, dëshmitari tha se dëshiron të shpreh shqetësimet e tij lidhur me parregullsitë në këtë gjykatë.
“Në pyetjen e parë të Prokurores sime unë dëshirojë ta shprehu shqetësimin tim lidhur…”, tha dëshmitari fjala e të cilit u ndërpre nga kryegjyqtari i cili tha se deklaratën mund ta bëjë pasi të përfundojë dëshmia e tij.
“Dua të shpreh shqetësimet e mija në bazë të asaj që kam gjetur parregullsi në këtë gjykatë pastaj të flas”, tha ai.
Atij iu ndërpre mikrofoni nga kryegjyqtari duke i sqaruar që pasi të përfundojnë pyetjet dhe dëshmia e tij, atëherë ai mund t’i ngre shqetësimet e tij.
Ndërsa, në pyetjet e prokurores, Vega Iodice, ai tha është ish-ushtar i Jugosllavisë në Sarajevë.
“Kam qenë ish-ushtarë i Jugosllavisë në vitin 83-84 në Sarajevë”, tha ai.