Uji burimor “Rugove” kontrollohet rregullisht në laboratorët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe në të “nuk janë gjetur asnjëherë baktere të dëmshme për shëndetin e konsumuesve”, thotë Ergyl Binçe, drejtor i Laboratorëve për Analizat e Ujit dhe Ushqimeve në këtë institucion.
Radio Evropa e Lirë siguroi deklaratën e tij një ditë pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi se është duke i inspektuar të gjitha dërgesat e ujit burimor nga Kosova, pasi, siç tha, disa analiza të mëhershme zbuluan praninë e bakterit koliform në një mostër uji.