Reformat në sektorin e energjisë dhe sundimin e ligjit, kyçe për përfitim nga Plani i Rritjes i BE-së

Prishtinë | 28 Maj 2025 | 14:38 | Nga Gzim Mujaj

Në kuadër të konferencës “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, të organizuar nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike, në panelin e dytë u diskutua Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, me fokus në prioritetet strategjike të reformës së Kosovës në fushën e energjisë dhe sundimit të ligjit, raporton Ekonomia Online.

Diskutimet u përqendruan në zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së në Kosovë, duke trajtuar dy shtylla kryesore: tranzicionin energjetik dhe sundimin e ligjit, përfshirë sistemin e drejtësisë dhe politikat antikorrupsion.

Miftar Nikqi, udhëheqës i Divizionit për BRE në Ministrinë e Ekonomisë, tha se me hyrjen në fuqi të ligjit për burimet e ripërtëritshme është krijuar një mundësi më e madhe për investime në këtë sektor.

“Vlerësojmë që me hyrjen në fuqi të ligjit për burimet e ripërtëritshme, në një farë forme është krijuar një mundësi më e madhe për investime në burime të ripërtëritshme. Kapacitetet që do të ndërtohen për burime të ripërtëritshme të energjisë janë 600 MGË dhe 600 MGË erë, por edhe 100 MGË për vetëkonsum. Ministria është edhe në hartimin e legjislacionit për ligjin për energjinë elektrike dhe ligjin për rregullatorin e energjisë”, tha ai.

Ndërsa, Avni Sfishta, ekspert i politikave të energjisë nga GIZ Kosova, theksoi rëndësinë e reformave ligjore për krijimin e një tregu të hapur dhe transparent të energjisë.

“Plani i rritjes shtyllën kryesore ose indikatorët kryesor për përfitim prej investimeve që parashihen me Planin e Rritjes është reforma në sektorin e energjisë edhe i targeton Ligjin për energji, Ligjin për energjinë elektrike dhe Ligjin për rregullatorin e energjisë. Kjo i krijon parakushte për të hapur tregun dhe më pas një treg transparent. Implementimi i tyre bëhet kompleks. Çështje tjetër që është me rëndësi është që institucionet që preken nga ligji duhet të jenë të përgatitura për t’i kryer detyrat e veta”, tha ai.

Eksperti i lartë nga Ministria e Drejtësisë, Rinor Hoxha, foli për sfidat në sundimin e ligjit, veçanërisht në efikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe mungesën e një kornize të qartë kundër korrupsionit.

“Po fokusohem te fusha e politikës, numër pesë, të Planit të Rritjes që ka të bëjë me sundimin e ligjit, baza për anëtarësim në BE, konkretisht te sistemi i drejtësisë. Aty janë cekur disa sfida, u përmend efikasiteti.

Të gjithë e dimë që është problemi më i madh, të cilin e ka gjyqësori sot, sepse lëndët vonohen shumë, tej mase, sidomos kontestet civile, por edhe administrative. Janë përmendur edhe disa sfida të tjera: mungesa e rregullimit ligjor për integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Te lufta kundër korrupsionit përmendet mungesa e një kornize strategjike, strategjisë kundër korrupsionit. Qeveria dhe Kosova janë në rrugën e duhur për t’i adresuar këto probleme, janë marrë goxha shumë masa për t’i adresuar këto”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, theksoi nevojën që qytetarët të kuptojnë ndikimin e reformave në jetën e tyre të përditshme.

“Ne duhet t’ju tregojmë qytetarëve se këto reforma ndikojnë në përmirësimin e jetës së tyre. Një pjesë dërrmuese e publikut e kupton integrimin evropian vetëm lëvizje të lirë. Publiku e ka më të vështirë t’i pranojë disa reforma të vështira, siç është Kodi civil.
Ne duhet ta shohim këtë si një proces më gjithëpërfshirës, që përfitojmë si shtet duke bërë vendin tonë më të jetueshëm, që qytetarët tanë nuk kanë nevojë që të dalin në vendet tjera që të kërkojnë punë apo çështje tjera.

Këtu jep një kontribut pjesa kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, sepse as reformat në zhvillim ekonomik pa pjesën adekuate ligjore që i zbaton këto ligje dhe parandalojnë korrupsionin, është vështirë që të ketë e sukses, nëse ka afera të mëdha të keqpërdorimeve”, tha ai.

Ndërsa, Vullnet Bugaqku, Hulumtues i Lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), përmendi pengesat politike që po ngadalësojnë procesin e reformës në sistemin gjyqësor.

“Si prioritete Kosova në Planin e Rritjes mendoj që e ka kyçe çështjen e reformës në sistemin gjyqësor. Kjo reformë përfshin procesin e Vettingut, e cila fatkeqësisht na ka mbetur peng e një vote parlamentare për shkak të moskonsensusit me Listën Serbe. Ne kemi ende sfidë formësimin e pavarësisë dhe të aspektit të profesionalizmit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial”, tha ai.

Të ngjashme