Policia e Kosovës ka realizuar sot një operacion të gjerë bastisjesh në tetë lokacione të ndryshme në qytetin e Prishtinës, në kuadër të hetimeve për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve ose mjeteve plasëse”.
Gjatë këtij operacioni, autoritetet kanë arrestuar katër persona të dyshuar, të gjithë meshkuj me shtetësi kosovare. Gjatë kontrollit në lokacionet e bastisura, policia ka sekuestruar një pushkë automatike të tipit AK-47, 23 fishekë, dy karikatorë, një bajonetë dhe një thikë.
Po ashtu, janë gjetur edhe 78 gramë të një substance të dyshuar narkotike, si dhe disa pajisje elektronike, përfshirë shtatë telefona celularë.
“Pas intervistimit të të dyshuarve dhe përfundimit të procedurave përkatëse, me vendim të prokurorit të çështjes, të katër personat janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.
Hetimet në këtë rast janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se do të ketë veprime të mëtejshme në drejtim të parandalimit të veprimtarive të paligjshme që lidhen me armët dhe narkotikët.