Kuvendi i Kosovës nuk u konstitua as në tentativën e 26-të. Megjithatë, në këtë përpjekje ka pasur një ndryshim, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi Avni Dehari ka njoftuar se seanca e ardhshme do të mbahet të enjten, qysh nesër. Kjo zhvendosje nënkupton mundësinë e pushimit për festën e Bajramit, të premten e 6 qershorit.
Madje qysh para votimit, Dehari ftoi përfaqësues të partive për t’u marrë vesh për “seancën e ardhshme”.
Seanca filloi njëjtë sikurse herët e kaluara: përsëri tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.
Haxhiu: Nuk përjashtohet mundësia të mbahen bashkë zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, tha se nuk përjashtohet mundësia që të këtë vit, përveç zgjedhjeve lokale të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme, raporton Ekonomia Online.
“Është e rëndësishme që partitë politike të dëgjohen të shihen propozimet e tyre për datën e mundshme të zgjedhjeve lokale. Por nuk përjashtohet situata ku mund të mbahen të dyja bashkë. Ne nuk jemi kundër si Vetëvendosje. Nuk është ky qëndrimi ynë primar. Por në qoftë se mbahet peng dhe nuk konstituohet Kuvendi, atëherë e vetmja zgjidhje tjetër janë zgjedhjet. Ndonëse ne e dimë që pa u konstituar Kuvendi nuk mund të shkohet në zgjedhje, por kjo mund të bëhet me një marrëveshje të re politike”, tha ajo.
Çitaku: Seanca u kurdis, Kosova mbetet e bllokuar
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, reagoi pas dështimit të radhës për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit, duke e cilësuar situatën si krizë të thellë politike, raporton Ekonomia Online.
“Asgjë të re për të thënë. Kosova vazhdon të jetë e bllokuar për shkak të kryeneçësisë së Vetëvendosjes. Dështuam sërish, vendi është në krizë. Edhe sot kishte përpjekje për të mbajtur seancën, por ajo u kurdis për të akomoduar interesat e disa deputetëve, ndërsa mungoi vullneti për marrëveshje në të mirë të qytetarëve. Nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë, bllokada politike do të vazhdojë të rëndojë mbi qytetarët dhe institucionet e vendit. Asgjë të re për të thënë Kosova vazhdon të jetë e bllokuar për shkak të kryneçësisë të VV-së. Sot pati përpjekje dhe u kurdis seanca për të akomoduar nevojat e deputetëve dhe nuk po arrijnë që të bëjnë marrëveshje për të mirën e qytetarëve”, tha Çitaku.
Lushaku: Kurti s’dëshiron ta dorëzojë ekzekutivin, problem të udhëhiqesh nga një njeri që s’e njeh as Kushtetutën
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushtaku, tha se kryeministri Albin Kurti nuk dëshiron ta dorëzojë ekzekutivin dhe se është problem shumë i madh kur udhëhiqesh nga një njeri që nuk dëshiron t’i përgjigjet Kushtetutës”, raporton Ekonomia Online.
“LDK i ka përfunduar “detyrat e saj” për këtë çështje, duke e dorëzuar lëndën, dhe se tashmë mbetet të veprojë gjyqësori. Kemi ligje që e specifikojnë dorëheqjen e ekzekutivit. Detyrat tona i kemi përfunduar – ajo tashmë është pjesë e gjyqësorit. I kemi dorëzuar të gjitha dokumentet që dëshmojnë se kjo qeveri nuk po respekton obligimet e veta. Kryeministri në detyrë nuk dëshiron ta dorëzojë ekzekutivin. Ky është problem shumë i madh kur udhëhiqesh nga një njeri që nuk dëshiron t’i përgjigjet Kushtetutës. Nuk e kupton parimin bazik të demokracisë”, tha Lushaku.
Haradinaj: Edhe zgjedhjet janë zgjidhje
Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj, tha se si parti janë të gatshëm që të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, raporton Ekonomia Online.
Por sipas tij, është e paarsyeshme në këto rrethana për një emër konkret të shkojë vendi përsëri në zgjedhje.
“Kjo i takon lidershipit të partive, por gjithsesi nëse kjo është zgjidhje pse jo. Por megjithatëe është e paarsyeshme në këto rrethana për një emër konkret të shkojë vendi në zgjedhje përsëri. Por si do që të jetë ne jemi të gatshëm për zgjedhje. Mendoj që edhe ajo është zgjidhje. Unë e kam thënë edhe në fillim që edhe zgjedhjet janë zgjidhje”, tha ai.
Limaj: Dalëngadalë po afrohet koha, do të kemi një marrëveshje politike
Deputeti i Nismës, Fatmir Limaj, pas seancës konstituive, tha se dalëngadalë po afrohet koha që Kosova të ketë institucionet e saja, raporton Ekonomia Online.
“Është e qartë se do të kemi një marrëveshje politike që do t’i japë Kosovës institucionet e saj. Dalëngadalë po afrohet koha që Kosova të ketë institucionet e saj.
Ne si subjekt kemi ofruar një mundësi mbi bazën e kapaciteteve tona për të qenë të përgjegjshëm dhe për të dhënë kontributin tonë”, tha Limaj.