Afati i Kushtetueses 26 korriku afër, asnjë shenjë për konstituim të Kuvendit

Prishtinë | 23 Kor 2025 | 15:01 | Nga Ekonomia Online

As në përpjekjen e 51-të, deputetët nuk e konstituan Kuvendin e Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.

“Nëse ke pak moral njerëzor…”, iu drejtua deputetja e PDK-së Ganimete Musliut kryesuesit Dehari.
Kryesuesi Avni Dehari ia ndërpreu fjalën deputetes Ganimete Musliut të PDK-së.

Musliu iu afrua Deharit, u fjalosën dhe kryesuesi e shpalli të ndërprerë seancën dhe ftoi deputetët të mblidhen sërish pas 48 orësh, më 25 korrik.

Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis, ndonëse afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutim të Kuvendit përfundon më 26 korrik.

Por, Gjykata nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh më tej, nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është drejtuar dje për sqarim Gjykatës Kushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun, të propozuar për kryeparlamentare, të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.

Haxhiu nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.

PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.

Kryeziu: Jemi optimistë që do të kemi një përgjigje pozitive nga Nisma deri në fund të kësaj jave

Deputetja e Vetëvendsojes, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, tha se janë optimistë për një përgjigje pozitive të Nismës Socialdemokrate, raporton Ekonomia Online.

“Kryeministri Kurti është takuar me kryetarin e Nismës. Ka pasur një takim, në të cilin është folur për kërkesat e të dyja palëve. Ne po presim përgjigje prej këtij subjekti politik dhe jemi optimistë që do të kemi një përgjigje pozitive të paktën deri në fund të kësaj jave, sepse po i afrohemi datës 26 kur edhe e konsumojmë 30 ditëshin që na është dhënë me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe shpresojmë që duhet një gjë e tillë të ndodhë para këtij afati”, tha ajo.

Krasniqi: Limaj s’do të jetë kurrë kandidat për kryetar kuvendi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se Fatmir Limaj nuk do të jetë kurrë kandidat për kryetar të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
“Sa i përket Fatmir Limajt, a e keni parë diku që është kandidat? E para, unë nuk besoj kurrë se do të jetë kandidat. Ia kam thënë edhe atij personalisht. Nuk e propozon Albin Kurti asnjëherë. Për këtë temë nuk besoj se do të kemi arsye për të diskutuar. Një deputet i PDK-së ka thënë se mendon që do të ishte mirë për të votuar, por PDK-ja nuk voton në mënyrë të shthurur, por sipas vendimeve partiake. Këto janë tendenca dashakëqija. Në PDK, 24 votat janë unike”, tha Krasniqi.

Abdixhiku për Kurtin: Meqë s’po do të formojë shumicën, t’i merret e drejta

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se meqenëse Albin Kurti nuk po do të formojë shumicën t’i merret e drejta, raporton Ekonomia Online.
“Në fakt, Gjykata Kushtetuese është shumë e qartë, përgjegjësia për formimin e shumicës i takon të parit. Meqë i pari nuk po do ta shfrytëzojë këtë të drejtë, atëherë kjo e drejtë t’i merret të parit. Pra, ky është mendim politik. Ne po japim një mendim tonin, le t’i merret e drejta”, tha Abdixhiku.

Sa i përket dërgimit të kërkesës së presidentes në Kushtetuese Abdixhiku tha se thelbi i lëndës është se çfarë ndodh pas 30 ditëve.

“99 për qind të rasteve në Gjykatën Kushtetuese që dërgohen lëndë zakonisht kërkohet edhe masa. Meqenëse kemi një rrjedhë të afatit dhe konsiderojmë që kemi paqartësi nuk e shohim si të dëmshme dhe të pavend. Masa nuk është thelbi i lëndës. Thelbi i lëndës është se çfarë ndodh pas 30 ditëve. Nuk kemi qartësi se çfarë ndodh tutje”, tha ai.

Haradinaj: Kërkesa e presidentes krijon hapësirë edhe disa ditë për Lëvizjen Vetëvendosje

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se gjendja nuk është e mirë, raporton Ekonomia Online.

“Pas kërkesës së presidentes Vjosa Osmani që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin nëse Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda 30-ditësh, krijohet hapësirë edhe disa ditë për Lëvizjen Vetëvendosje. Shpresoj se Gjykata Kushtetuese nuk do të vonojë vendimet e saj”, tha Haradinaj.

Limaj për takimin me Kurtin: Duam një shumicë qeverisëse për krijim të Kuvendit dhe qeverisë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, foli edhe për takimet me Albin Kurtin, raporton Ekonomia Online.
“Do të ketë edhe takime të tjera. Nuk është korrekte të flas. Kemi opsione, asnjë nga ato që është folur në media nuk është. Me shumë kemi biseduar tema programore, politike, diplomatike, të sigurisë. Në tavolinë ka opsione. Nuk mund të shkojmë atje deri sa të ketë diçka”, tha Limaj.

Limaj komentoi edhe kërkesën e presidentes Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

“Kërkesa e presidentes drejtuar Gjykatës Kushtetuese e ndihmon procesin edhe të konstituimit të Kuvendit, por edhe për në të ardhmne. Qëndrimi i Nismës është që ne nuk besojmë në zgjidhje parciale. Ne duam një shumicë qeverisëse, e cila e konstiuon edhe kuvendin, edhe e krijon qeverinë. Nisma nuk do të jetë kontribuese në procese që dërgojnë në zgjedhje”, tha Limaj.

Të ngjashme