Një qytetar ka publikuar faturën e rrymës në rrjete sociale.
Ai ka thënë se ka një market të vogël, e muajin e kaluar kishte paguar 715 euro, kurse këtë muaj 1 mijë e 71 euro.
Postimi:
Ky nuk është faturim – është grabitje!
Këtë muaj më ka ardhur fatura e energjisë elektrike 1,071 euro për një market prej vetëm 170 metrash katrorë. Po, më shumë se 1 mijë euro për rrymë, në një biznes të vogël që lufton për mbijetesë çdo ditë.
Muajin e kaluar pagova 715 euro, tash po më kërkojnë 356 euro më shumë për të njëjtin konsum. Kjo nuk është rritje normale – kjo është shkatërrim i qëllimshëm i biznesit privat, nga ku ky shtet merr taksat, të hyrat dhe pagat.
Pyetja që shtroj është e thjeshtë:
Si mund të mbijetojë një biznes i vogël me fatura kaq të çmendura? Çfarë po ndodh me këto tarifa? Kush i kontrollon këto çmime? Apo janë të lirë t’i rrisin si të duan, sepse askush nuk përgjigjet?
Ky nuk është vetëm problem i imi – ky është problem i çdo qytetari dhe biznesi në Kosovë. Sot jam unë, nesër jeni ju. Sepse shteti ynë nuk prodhon asgjë, nuk ndërton asgjë – por i mjel bizneset private deri në rrënim.
Heshtja jonë është forca e tyre.
Sot, na kanë zënë në gjumë, por kjo faturë është një shuplakë – për të na zgjuar. Sepse kjo nuk është faturë për rrymë, kjo është faturë për dështimin e shtetit dhe për heshtjen tonë.
Unë nuk do të hesht më. A do të heshtësh ti?
