Trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë dënoi me nga 15 vjet burgim të akuzuarit Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq për dhunim seksual gjatë luftës në komunën e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
“Trupi gjykues çështjen penale për shkak të veprës penale krim i luftës ndaj popullatës civile sipas aktakuzës pas mbajtjes dhe shqyrtimit të vendimit gjyqësor, të akuzuarit shpallen fajtorë, sepse gjatë luftës në Kosovë në kundërshtim me Konventën e Gjenevës, me përdorim të dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore kanë kryer dhunimin seksual ndaj një gruaje të etnicitetit shqiptar rreth datave 23-25 maj 1999 në orët e paradites në komunën e e Prishtinës, duke vepruar në atë mënyrë që të akuzuarit hynë në shtëpinë e viktimës D1 dhe Dragan Deniq viktimën D1 e vendos në dhomën e fjetjes së saj, duke e kryer dhunimin.
Pas tij edhe Ivica Rajkoviq dhe personi i tretë i paidentifikuar, me ç’rast viktimës i është shkaktuar dhimbje e madhe fizike dhe psikike. Gjykata bazuar në dispozita të atëhershme të JPL-së i gjykon secilin veç e veç me dënim burgimi prej 15 vjetësh, i cili do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh”, u tha në aktgjykim.
“Duke u tërhequr zvarrë, duke ju grisur rrobat dhe pas policit të parë ajo dhunohet edhe nga persona të tjerë. Dëshmitari D2 është dëshmitari kyç, i cili ka arritur të identifikojë të akuzuarin Ivica Rajkoviq pasi të njëjtin e ka njohur edhe si polic. Dëshmitari i njëjtë ka arritur të identifikojë edhe të akuzuarin tjetër Dragan Deniq. Edhe e dëmtuara D1 ka arritur të njohë të akuzuarin Dragan Deniq si personin që e ka filluar dhunimin i pari. Edhe dëshmitarja D3 rezulton se e ka identifikuar të akuzuarin Dragan Deniq si personin që ka filluar dhunimin”, thuhet më tutje në aktgjykim.
Përveç për dhunim seksual, në bazë të dëshmive të dëshmitarëve, të njëjtit kanë kryer edhe krime të tjera te luftës, si maltretime, plaçkitje, tortura, por të cilat nuk janë të përfshira në këtë aktakuzë
Rasti i dhunimit seksual ka ndodhur në Kolovicë.
E mbijetuara e këtij krimi u dhunua para syve të burrit të saj, i cili ka qenë dëshmitari kryesor i rastit, dhe dëshmia e tij deri më tani ishte kryesorja në gjykatë.
Viktimën dyshohet se e kanë dhunuar gjashtë persona, por vetëm këta dy të lartëpërmendurit, pra Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, janë identifikuar nga viktima.
Ky është rasti i katërt për të cilin ka përfunduar gjykimi, i raportuar dhe përfaqësuar nga Qendra Kosovare e Rehabilitimin të të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Gjykimi është zhvilluar në mungesë, me pamundësinë që të njëjtit të arrestohen.
Deri më tani janë shpallur tri aktgjykime për dhunim seksual. Zoran Vukotiq është dënuar me 13 vjet burg, në rastin tjetër Vukotiq është liruar dhe Zhivojin Nesiq është dënuar me 15 vjet.
Ndërsa, rasti i sotëm ishte i pari i gjykimit në mungesë për dhunimin seksual gjatë luftës.
