Një mjet i dyshuar i gjetur sot në mesditë në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë, pranë Ambasadës Amerikane, është vërtetuar se nuk ka qenë shpërthyes, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, tha se rreth orës 12:00 është pranuar informata për një mjet të dyshuar në rrugën “Ahmet Krasniqi”, duke bërë që njësitet policore dhe ato të specializuara për menaxhimin e mjeteve shpërthyese të dalin menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, ka rezultuar se mjeti nuk ka qenë shpërthyes”, ka thënë Pllana.
Policia ka larguar mjetin dhe zona tashmë është e sigurt.