Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Xh.K, D.K, dhe A.K., të cilët akuzohen për veprën penale “Detyrimi”, si dhe ndaj L.Sh., për armëmbajtje pa leje.
Xh.K., D.K., dhe A.K., akuzohen se detyruan të dëmtuarin të paguajë shuma të konsiderueshnme të parave (50 mijë euro), pasi kishte blerë patundshmëri, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit Xh.K, D.K, A.K., me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, nga viti 2020 përdorin kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarin, që të kryej një veprim në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari kishte blerë një patundshmëri nga ish pronari, detyrojnë për të paguar shuma të konsiderueshme të parave, fillimisht shumën prej 20.000 (njëzetmijë) euro, me pas edhe 30.000 (tridhjetëmijë) euro, deri sa janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës, përmes zbatimit të masave të veçanta hetimore”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, i pandehuri L.Sh, akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim e paautorizuar e armëve”.
“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara si me lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila ju vihen në barrë”, njofton Prokuroria.