Gjenden armë, municion e pajisje tjera në veri

Prishtinë | 05 Gus 2025 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës (PK) njofton se në Mitrovicë të Veriut në dy banesa kanë gjetur armë, municion dhe pajisje të tjera.

Policia bën të ditur se të martën, njësitë policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri kanë asistuar Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Vlerësim të Pronës (AKKVP), pas kërkesës zyrtare të kësaj agjencie për ofrim të mbështetjes gjatë realizimit të detyrave të tyre, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Gjatë këtij asistimi, në rrugën “Lola Ribar” – Mitrovicë Veri, konkretisht në një banesë e cila ishte e uzurpuar dhe e mbyllur (pa banorë) policia ka gjetur dhe sekuestruar: 56 fishekë të kalibrave të ndryshëm, municion për pushkë ajrore, 1 Optik për armë të gjatë, 1 Kuti për mbushje të municionit, 1 Fotrollë për pistoletë, 2 Gaz-maska, 2 Video-kamera dhe 1 video-kasetë e vogël, dokumente të ndryshme, 1 Foto-aparat, 1 Lexues (DVD), 1 Vule të rrumbullakët”, thuhet në njoftim.

Në vijim të hetimeve, Policia bën të ditur se ka identifikuar bashkëshorten e personit i cili dyshohet se e kishte uzurpuar pronën e cila banonte në një banesë aty afër.

“Në bazë të dyshimeve është kryer kontroll edhe në banesën tjetër ku policia ka gjetur dhe sekuestruar: 1 pistoletë, 1 tytë e armës së shkurtë, 1 fishek, dhe 1 armë (e modifikuar, stilo-laps)”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se lidhur me rastin është arrestuar e dyshuara M.A., 56 vjeç, e cila është intervistuar, dhe ndaj saj me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Pas intervistimit e dyshuara është liruar, ndërsa rasti procedohet në procedurë të rregullt”, njofton Policia.

Të ngjashme